Rama: Garancia Rinore dhe programet e punësimit hapin rrugën për 60 mijë të rinj. Banka digjitale, mundësi reale për karrierë
Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në takimin me të rinjtë e punësuar përmes programeve kombëtare të nxitjes së punësimit, prezantoi vizionin “RINIA 2030 — Punësim, Aftësi, Sipërmarrje”. Rama e cilësoi takimin si një shembull të qartë se vendi po krijon mundësi reale për të gjithë të rinjtë që duan të punojnë dhe të ndërtojnë një karrierë profesionale në Shqipëri.
Sipas tij, programet e punësimit, rritja e trajnimeve profesionale dhe nxitja e sipërmarrjes së re janë shtylla kryesore të politikave qeveritare për rininë, ndërsa çdo muaj në portalin zyrtar puna.gov.al publikohen mesatarisht 5 500 vende të lira pune, në profesione dhe kategori të ndryshme.
Kryeministri theksoi se të rinjtë që përfshihen në këto programe janë dëshmia më e mirë se mundësitë ekzistojnë dhe se tregu i punës është më dinamik se kurrë. Ai i inkurajoi të rinjtë të përfitojnë nga trajnimet dhe platformat e reja të punësimit, duke nënvizuar se synimi i qeverisë është që deri në vitin 2030 të rritet ndjeshëm punësimi cilësor dhe të mbështetet fuqimisht sipërmarrja e re.
“Shqipëria ka hapur rrugën për çdo të ri që dëshiron të punojë, të zhvillojë aftësi dhe të krijojë të ardhmen e vet këtu”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se investimet në rini mbeten prioritet kombëtar.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria, sipas të dhënave të OECD-së, renditet e para në rajon për shërbimet e punësimit, një rezultat që konsiderohet inkurajues për politikat kombëtare. Ai nënvizoi se aktualisht funksionojnë 7 programe që mbulojnë të gjitha kategoritë, duke përfshirë praktikat profesionale, formimin në vendin e punës, vetëpunësimin dhe riintegrimin social.
Në 5 vitet e fundit, përmes zyrave të punës dhe shërbimeve të programeve të punësimit, janë punësuar 42 mijë të rinj dhe të reja, ndërsa 7 500 individë kanë përfituar drejtpërdrejt nga programet aktuale dhe janë sot të punësuar.
“Shqipëria sipas OECD, burim serioz të dhënash, vëzhgimesh mbi vendet. Është vendi që zë, vendin e parë në rajon për shërbimet e punësimit, na ka dhënë një rezultat inkurajues.
Janë 7 programe që funksionojnë sot për nxitjen e punësimit që mbulojnë gjithë kategoritë dhe shkojnë nga praktikat profesionale, te formimi te vendi i punës, nga vetëpunësimi te riintegrimi social.
Ne 5 vitet e fundit, 42 mijë të rinj e të reja janë punësuar përmes zyrave tona të punës e këtyre shërbimeve. Nga kjo shifër, 7500 individë kanë përfituar nga programet e janë sot në punë”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri me dije gjithashtu se Garancia Rinore po zbatohet tashmë edhe në Shqipëri. Aktualisht, 2 200 vajza dhe djem po përfitojnë nga ky program, i cili ka për qëllim që brenda këtij mandati qeverisës të mbështeten 60 mijë të rinj dhe të reja në të gjithë vendin, në të gjitha kategoritë.
Kryeministri theksoi se këto rezultate dëshmojnë se politika qeveritare për nxitjen e punësimit, zhvillimin e aftësive profesionale dhe mbështetjen e rinisë po japin efektet e dëshiruara, duke krijuar mundësi reale për të rinjtë që duan të ndërtojnë një karrierë në Shqipëri dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe profesional të vendit.
“Kemi dhe Garancinë rinore, që po zbatohet dhe në Shëqipëri .Janë 2200 vajza dhe djem të parë që po përfitojnë nga garancia rinore, objektivi i së cilës është që 60 mijë vajza dhe djem të mbështeten në gjithë vendin e kategoritë brenda viteve të këtij mandati qeverisë që sapo kemi nisur”, shtoi ai.
Në një tjetër zhvillim pozitiv, Kryeministri u ndal dhe te zyrat e një banka digjitale të re, e miratuar së fundmi nga BSH. Ai u shpreh se ishte mbresëlënëse të shihje zyrat e mbushura me vajza dhe djem të rinj, si dhe numrin e madh të aplikimeve. Aktualisht, banka ka intervistuar dhe planifikon të punësojë 100 të rinj dhe të reja në planin e saj afatshkurtër të punësimit.
“Pash një video të zyrave të një Banke të re digjitale të sapo miratuar në Shqipëri nga BSH dhe ishte mbresëlënëse që ato zyra janë mbushur me vajza e djem të rinj. Mbresëlënës numri i aplikimeve., aktualisht banka kishte të intervistuar dhe në planin imediat të punësimit 100 vajza dhe djem”, theksoi ai.
