Rama: Çlirojmë buzët e rrugëve kombëtare nga rraqet e bizneseve. Afat deri më 31 korrik për t’i larguar vetë, ose do ndëshkoheni

buzët e rrugëve kombëtare

Pas aksionit për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një aksioni tjetër për pastrimin e akseve rrugore nga vendosja e objekteve të ndryshme në anë të tyre.

Në një postim në Facebook, Rama shkruan se bizneset kanë afat deri më 31 korrik për t’i larguar objektet që mund të kenë në anë të rrugës, teksa thekson se përjashtim bëjnë objektet e ndërtuara me leje.

Kryeministri shton se nuk do të lejohet asnjë lloj materiali që ndodhet më pas se 20 metër nga aksi i rrugës, duke paralajmëruar përballjen me masa të rënda ndëshkimore.

Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës. Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se  20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë, përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH.

Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi”, shkruan Rama.

Teksa shkruan se Shqipëria po i afrohet anëtarësimit në BE, Rama thekson se duhet të marrë fund ushtrimi i aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit dhe mjedisit.

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE”, përfundon postimin e tij Rama.