Rama: Çdo ditë në terren për një sezon turistik të pastër dhe të rregullt
Kryeministri Edi Rama nënvizon se strukturat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, por dhe agjencive rajonale janë çdo ditë në terren, për të monitoruar garantimin e një sezoni turistik të pastër e të rregullt.
Sipas Kryeministrit Rama rregullorja e re e menaxhimit të plazheve ka sjellë dyfishim të aksesit në plazhet publike, çka përkthehet edhe në një rritje të përgjegjësive për mirëmbajtjen, pastrimin dhe respektimin qytetar të hapësirave të përbashkëta.
“Me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, agjencitë rajonale dhe strukturat e tjera, jemi çdo ditë në terren, për të monitoruar garantimin e një sezoni turistik të pastër, të rregullt dhe respektim të parcelave publike siç parashikohet në rregulloren e re të menaxhimit të plazheve, ku dyfishimi i aksesit në plazhet publike, shton edhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen, pastrimin dhe modelin qytetar në respektimin e hapësirave të përbashkëta. Sarandë, Zvërnec, Darzezë, Radhimë, Ksamil, Livadh, Velipojë, Golem, Spille, Golem dhe Gjiri i Lalzit“, shkruan Rama krahas fotove të publikuar në rrjetin e tij social Facebook.
