Qeveria shqiptare ngre Task-Forcën për zbatimin e marrëveshjes së emigracionit me Italinë
Italy's Prime Minister Giorgia Meloni, as he meets Albania ’s Prime Minister Edi Rama at Chigi Palace, in Rome, Italy 6 November 2023. ANSA/GIUSEPPE LAMI
Këshilli i Ministrave ka miratuar të enjten vendimin për ngritjen e një Task-Force të posaçme për të koordinuar, ndjekur dhe mbikëqyrur zbatimin e Protokollit dhe marrëveshjes zbatuese midis Shqipërisë dhe Italisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit. Ky vendim mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin nr.20/2024, i cili ratifikon protokollin e përmendur.
Task-Forca, e propozuar nga Ministri i Brendshëm, ka për qëllim garantimin e zbatimit të plotë dhe efikas të marrëveshjes, duke mbuluar të gjitha fushat e përgjegjësisë së institucioneve të përfshira.
Përbërja dhe detyrat e Task-Forcës
Task-Forca do të kryesohet nga Zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe do të ketë një përbërje të gjerë ndërinstitucionale, duke përfshirë:
Zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme
Zëvendësministrin e Mbrojtjes
Zëvendësministrin e Financave
Zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë
Drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
Drejtorin e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Drejtorin e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Drejtorin e Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Detyrat kryesore të Task-Forcës përfshijnë:
Hartimin e një plani veprimi të vetëm dhe të miratuar, në bazë të fushave të përgjegjësive të institucioneve të angazhuara. Evidentimin e strukturave, përgjegjësive dhe detyrimeve në raste të situatave të paparashikuara gjatë zbatimit të protokollit.
Garantimin e mbështetjes me burime të nevojshme për strukturat e angazhuara. Trajtimin e kërkesave dhe çështjeve të përcjella nga Ambasada e Italisë në Tiranë, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke marrë vendime dhe duke i përcjellë ato për zbatim.
Funksionimi dhe mbështetja teknike
Task-Forca do të mblidhet me kërkesë të kryetarit ose të çdo anëtari, sipas një kalendari takimesh ose sa herë që vlerësohet e nevojshme. Kur e konsideron të arsyeshme, Task-Forca ka të drejtë të ftojë në mbledhjet e saj ekspertë të jashtëm ose përfaqësues nga organizata për çështje që janë jashtë profilit të saj, opinioni i të cilëve do të bëhet pjesë e vendimmarrjes.
Anëtarët e Task-Forcës janë të detyruar të njoftojnë kryetarin për çdo problematikë dhe vendimmarrje brenda fushës së tyre të përgjegjësisë. Kryetari i Task-Forcës do të raportojë çdo muaj pranë Ministrit të Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Një sekretariat teknik do të mbështesë Task-Forcën, i përbërë nga përfaqësues të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues nga Ministria e Brendshme (Drejtoria e Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut, si dhe struktura për rendin dhe sigurinë publike), Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (Drejtoria Konsullore) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse).
Detyrat e sekretariatit teknik përfshijnë organizimin e mbledhjeve, përgatitjen e dokumentacionit për diskutim, administrimin e dokumenteve nga pala italiane, mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve, shkëmbimin e materialeve midis anëtarëve, hartimin e materialeve për kryetarin dhe mbajtjen e procesverbaleve të mbledhjeve.
Task-Forca do të jetë funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit. Titullarët e institucioneve të përfshira janë ngarkuar që brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të caktojnë dhe dërgojnë emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Task-Forcë dhe në sekretariatin teknik.
