Qeveria nxjerr VKM-në: Edhe dita e premte do të jetë pushim për administratën
Këshilli i Ministrave ka vendosur që dita e premte më 26 dhjetor, të jetë ditë pushimi për administratën publike.
Sipas vendimit të qeverisë e premtja caktohet si ditë pushimi, si zgjatje e festës së Krishtlindjes, pasi administrata nuk do të jetë në punë as ditën e enjte, më 25 dhjetor, që po ashtu është festë zyrtare.
Sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, dita e punës, e datës 26.12.2025, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
VKM:
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e ditës së premte, datë 26.12.2025, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
2. Dita e punës, e datës 26.12.2025, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda tremujorit të parë të vitit 2026.
3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
