Qeveria miraton “shkallët” e karrierës për shkencëtarët, nga asistenti te drejtuesi, ja kriteret e reja
Këshilli i Ministrave ka formalizuar për herë të parë hierarkinë profesionale për të gjithë punonjësit që angazhohen në institute dhe njësi të kërkimit shkencor në Shqipëri. Vendimi më i fundit, i propozuar nga Ministria e Arsimit, përcakton “shkallët” që duhet të ngjitë një studiues, duke nisur nga asistent i thjeshtë e deri te titullarët e lartë të kërkimit.
Katër kategoritë e reja
Vendimi sanksionon se karriera shkencore në institutet e kërkimit do të ndahet në katër nivele:
Asistent kërkues-shkencor.
Kërkues-shkencor.
Kërkues-shkencor i avancuar.
Drejtues kërkimor-shkencor.
Sipas vendimit, kjo ndarje synon të krijojë një sistem meritokracie, ku kalimi nga një nivel në tjetrin nuk bëhet vetëm me vjetërsi pune, por kushtëzohet nga botimet shkencore dhe titujt akademikë.
Filtrat për çdo kategori
Për të hyrë në sistem si “Asistent”, mjafton një diplomë “Master i Shkencave” dhe regjistrimi në Doktoraturë. Por, për të marrë titullin “Kërkues-shkencor”, kandidati duhet të ketë mbrojtur Doktoraturën dhe të ketë të paktën 1 vit përvojë pune pas saj, shoqëruar me një artikull në revista ndërkombëtare.
Kriteret ashpërsohen ndjeshëm për dy nivelet e larta.
“Për t’u kualifikuar si “Kërkues i avancuar” ose “Drejtues”, shkencëtari duhet të ketë përkatësisht 3 deri në 5 vite përvojë pas doktoraturës. Diferencën e bën prodhimtaria shkencore: një “Drejtues” duhet të ketë të paktën 3 artikuj në revista ndërkombëtare të indeksuara dhe 4 në revista kombëtare, si dhe të ketë drejtuar projekte kërkimore.”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, institutet do të ngrenë Komisione të Posaçme Vlerësimi (KVD). Këto komisione do të shqyrtojnë dosjet brenda 10 ditëve. Nëse kandidati i plotëson kushtet, dosja i kalon Këshillit Shkencor, i cili jep verdiktin final brenda 5 ditëve. Kjo procedurë e përshpejtuar synon të shmangë burokracitë e gjata që shpesh kanë penguar avancimin e studiuesve.
Përjashtimet dhe “profesorët”
Vendimi ka parashikuar edhe një “korsi preferenciale” për akademikët e njohur tashmë.
Kushdo që mban titullin “Profesor” ose “Profesor i Asociuar”, nëse angazhohet në institute kërkimore, merr automatikisht kategorinë më të lartë: “Drejtues kërkimor-shkencor”.
“Gjithashtu, doktorët e shkencave që kanë më shumë se 5 vite përvojë në kërkim, mund të aplikojnë direkt për nivelet e larta pa qenë nevoja të kalojnë shkallët e ulëta, me kusht që të vërtetojnë veprimtarinë e tyre.”, theksohet në vendim.
KUSHTET PËR NIVELIN MË TË LARTË (“DREJTUES”)
Diplomë “Doktoratë”.
5 vite përvojë kërkimore pas doktoraturës.
3 artikuj në revista ndërkombëtare të indeksuara.
4 artikuj në revista kombëtare (Kategoria A ose B).
Udhëheqje e projekteve shkencore.
