Qendër sociale për të miturit e huaj, Shqipëria ngre strukturë të re mbrojtjeje

Në një kontekst të rritjes së lëvizjeve migratore dhe përafrimit të direktivave të BE në këtë aspekt , Shqipëria po ndërmerr hapa konkretë për të përmirësuar menaxhimin e hyrjes së të huajve në vend. Në qendër të diskutimeve të fundit në Komisionin e Politikës së Jashtme ishte mbrojtja e të miturve të huaj. Në draftin e ri të ndryshimeve në ligjin “Për të Huajt”, është parashikuar hapja e një qendre sociale specifike, e cila do të ofrojë strehim, kujdes psiko-social dhe asistencë ligjore për minorenët që hyjnë në territorin shqiptar pa shoqërim, apo në kushte të pasigurta.
Drejtoresha e përgjithshme për Migrimin dhe Azilin, Silvana Banushi u shpreh se qendra financohet nga delegacioni i BE dhe do të funksionojë sipas të gjitha kushteve të Bashkimit Europian.
“Sapo kemi filluar dhe nesër ministri jonë bashkë me delegacionin e BE-së lançon fillimin e punës për ngritjen e qendrës për fëmijët e pashoqëruar. Është një qendër që do ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ai fëmijë ka nevojë për spital, për shkollë, gjumë, strehim, punonjës social që do ketë në kokë. Është menduar që qendra të ngrihet sipas të gjitha kushteve të BE. është delegacioni i BE që po financon dhe po mbështet”, deklaroi Banushi.
Përveç ngritjes së qendrës sociale, drafti i ri parashikon edhe lehtësim të procedurave për shtetasit e huaj që kërkojnë leje qëndrimi për punë, si dhe përmirësime në sistemin e identifikimit të personave me rrezikshmëri të lartë për sigurinë kombëtare.
Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh se “Lehtësimi i procedurave, pra të mos ketë më nevojë për leje unike, por personat që konsiderohen si investitorë të huaj të njihet leja e qëndrimit, kjo sipas garancive proceduriale, të informacione. Bëhet në bashkëpunim me institucionet relevante, përfshi policinë kriminale, SHISH”.
Ndërkohë, qendra e re për të miturit pritet të hapet së shpejti, ndërsa autoritetet shprehen se do të jetë një model për trajtimin dinjitoz dhe mbrojtjen e fëmijëve në lëvizje.