Putin kërcënon Europën: Shkojmë në luftë nëse vendet evropiane e nisin një konflikt të tillë

Putin kërcënon Europë

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar sot se Rusia është e gatshme për një luftë me Evropën nëse vendet evropiane nisin një konflikt të tillë.

Putini e shprehu këtë qëndrim pak minuta para takimit me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, në një përpjekje diplomatike për të avancuar negociatat që synojnë mbarimin e luftës së plotë të Rusisë kundër Ukrainës.

“Nëse Evropa fillon një luftë, ne jemi gati menjëherë”, tha presidenti rus, duke theksuar se Moska nuk synon një konflikt me vendet evropiane, por do të përgjigjet vendosmërisht nëse provokohet.

“Ne nuk do të negociojmë me askënd”, shtoi ai, duke paralajmëruar se një luftë e tillë mund të çojë në një situatë ku “nuk do të mbetet askush për të negociuar”.

Deklaratat e Putinit vijnë në një moment tensioni të lartë, ndërsa Uashingtoni po intensifikon përpjekjet diplomatike për një marrëveshje paqeje. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dërguar Ëitkoff-in dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, për bisedime në Moskë. Sipas Putinit, qeveritë evropiane po pengojnë përpjekjet e Trump-it për një zgjidhje, duke jetuar “nën iluzione” se mund të imponojnë një humbje strategjike ndaj Rusisë.

Ai akuzoi Evropën se “nuk ka një axhendë paqeje” dhe se “është në anën e luftës”, duke e cilësuar ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën si provë e armiqësisë. Këto komente pasqyrojnë narrativën më të gjerë të Moskës, ndërsa Rusia po zgjeron presionin hibrid ndaj Evropës.

Shtetet evropiane kanë regjistruar një rritje të aktiviteteve të dyshuara të lidhura me Rusinë në vitet e fundit, duke përfshirë sulme kibernetike, tentativa sabotazhi dhe dëmtime të përsëritura të infrastrukturës nënujore në Detin Baltik.