Punimet për argjinaturën e lumit Kir / Deri tani është realizuar përforcimi i bregut në një gjatësi prej afro 150 metrash
Vijojnë punimet për ndërtimin e argjinaturës së lumit Kir, pranë zonës së ish-Fushës së Drurit, në periferi të qytetit të Shkodrës.
Projekti synon frenimin e procesit të grryerjes së tokave nga rrjedha e lumit, një problematikë që prej vitesh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe sipërfaqe bujqësore.
Punimet po zbatohen nga Drejtoria Rajonale e Kullimit, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.
Ato përfshijnë sistemimin e bregut të lumit, veshjen e skarpatës me gurë masivë në një gjatësi prej rreth afro 400 metrash, si dhe ndërtimin e 13 paneleve mbrojtëse, duke garantuar mbrojtje të qëndrueshme për banesat dhe tokat bujqësore pranë brigjeve të lumit.
Projekti kap vlerën e rreth 102 milionë lekëve, ndërsa afati për përfundimin e plotë të punimeve parashikohet brenda tre muajve të parë të këtij viti.
Lumi Kir, për vite me radhë, ka grryer sipërfaqe të konsiderueshme toke, jo vetëm në zonën e ish-Fushës së Drurit në periferi të qytetit të Shkodrës, por edhe në fshatin Kuç, ku gjatë dhjetë viteve të fundit rrjedha e tij ka zvogëluar me dhjetëra hektarë tokë bujqësore.
