Punimet në shëtitoren e Molos / Punimet e ndërprera krijojnë shqetësim dhe pamje jo dinjitoze për qytetin
Në shëtitoren e Molos në Shkodër kanë ndalur punimet, pavarësisht se kjo hapësirë është pjesë e projektit për rehabilitimin e hyrjes së qytetit.
Prej disa kohësh, punimet kanë mbetur të papërfunduara, duke krijuar jo vetëm një pamje jo të denjë për hyrjen e Shkodrës, por edhe shqetësime për qytetarët dhe vizitorët që frekuentojnë zonën.
Shëtitorja, e menduar si një hapësirë rekreative dhe përmirësim estetik i qytetit, aktualisht paraqitet e papërfunduar dhe larg funksionit për të cilin është projektuar.
Ndalimi i punimeve në një nga pikat më të frekuentuara dhe simbolike të qytetit ngre pikëpyetje mbi afatet e realizimit të projektit dhe ndikimin që kjo vonesë ka në imazhin e Shkodrës.
Përfundimi i këtij investimi do të ishte një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe mirëpritjen e qytetarëve në hyrje të qytetit.
