Pse turbulencat në aeroplan po bëhen më të shpeshta dhe më të forta

aeroplan po bëhen

Turbulencat në aeroplan pritet të bëhen më të shpeshta dhe më të forta për shkak të ndryshimeve klimatike. Ekspertët paralajmërojnë se udhëtimet ajrore mund të përballen me më shumë turbullira në dekadat e ardhshme, pasi ngrohja globale po ndryshon kushtet atmosferike në lartësi. Sipas profesorit Paul Williams nga Universiteti i Reading, frekuenca e turbulencave të forta mund të dyfishohet ose trefishohet, duke kaluar nga 10 minuta në 20-30 minuta gjatë një fluturimi.

Turbulenca e fortë, që ushtron mbi trup mbi 1.5 g forcë gravitacionale, mund të shkaktojë ngritjen nga sedilja nëse pasagjeri nuk ka vendosur rripin e sigurimit. Aktualisht, në botë regjistrohen rreth 5,000 incidente të tilla çdo vit nga mbi 35 milionë fluturime.

Më të rrezikuara janë fluturimet mbi Atlantikun e Veriut, ku në 40 vitet e fundit është shënuar një rritje prej 55% e turbulencave të forta. Por studiuesit paralajmërojnë se rritja do të prekë edhe zona të tjera, përfshirë Lindjen e Mesme, Azinë Lindore, Afrikën e Veriut dhe Amerikën e Veriut.

Ndryshimet klimatike ndikojnë në rritjen e turbulencave konvektive dhe atyre të ajrit të pastër, ku këto të fundit janë më të rrezikshme pasi nuk mund të parashikohen vizualisht. Një atmosferë më e ngrohtë mban më shumë lagështi, duke gjeneruar stuhi më të fuqishme dhe duke shtuar rrezikun për fluturimet.

Gjithashtu një studim amerikan i vitit 2014 zbuloi se për çdo rritje prej 1°C të temperaturës globale, goditjet e rrufeve rriten me 12%.