Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, e ka zhvendosur fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025 nga jugu i vendit, në veri.
Ai ka vijuar të dielën fushatën elektorale në Shkodër, ku në fokus janë investimeve 10-vjeçare të bëra nga qeveria në qytetin e madh verior.
Rama, në fjalën e tij, e vuri theksin tek investimet në infrastrukturë në Shkodër, por edhe në të gjithë vendin, të cilat, sipas tij, do të vazhdojnë.
“Shtysa që të ndërmarr këtë cikël prezantimesh të panoramës së përgjithshme ekonomike dhe të investimeve të bëra në 3 mandate, më ka ardhur në mënyrë të befasishme, pas një mbrëmjeje kur po lundroja nëpër pasqyrat e botës, gjë që e bëj çdo natë vonë. Mu desh të hyja në ‘pasqyrat e kënetës’ këtu sepse ishte shfaqja e parë e anketimit të parë të atij sondazhistit të Trump. Nisur nga kjo mendova se përse duhet të tregojmë disa të dhëna pse populli nuk është i trembur, i shitur apo i blerë. Nëse populli mendon që vendi po shkon në drejtimin e duhur, kjo ndodh sepse reflektohet në jetën a e tyre të përditshme. Thonë njerëzit po vdesin për bukë, nuk kanë ujë, nuk janë rritur pagat. Por njerëzit e dinë ndryshimin. Se sa janë ndërtuar rrugë fshati në një dekadë nuk janë bërë në të gjitha vitet e marra së bashku. Nuk është populli problemi, problemi është që informacioni për punët e bëra nuk është pasqyruar sa dhe si duhet. Nuk ka vend për lajmet e mira. Nëse nuk do të ishin bërë këto punë nuk do të ishin në dyert e BE-ë sepse për negociatat BE-ja nuk bën politikë dhe nuk merret me politikë”, tha Rama.
Investimet në Shkodër
Rama, gjatë fjalës së tij, bëri edhe një përmbledhje të investimeve të qeverisë shqiptare në 10 vitet e fundit në qarkun e Shkodrës. Sipas tij, Bashkia Shkodër ishte më me pak investime në këto 10 vite, pasi demokratët që ishin në krye të saj kanë refuzuar çdo bashkëpunim me qeverinë.
“Në dallim nga të gjitha qarqet e tjera, në këtë qark ka një gropë në këto 10 vite. Gropa është e Bashkisë së Shkodrës. Deri përpara se Beneti të vinte këtu e të merrte detyrën, nuk bëhej fjalë për projekte. Në një dekadë, Shkodra ka marrë më pak investime në Qarkun e Shkodrës. Jo se nuk kemi dashur, por nuk kishim bashkëpunim. Gjithsesi ka një gjë që më bën shumë krenar, por që është një nga shumë mitet e ngritura artificialisht, pa asnjë bazë. E keni dëgjuar: “Edi Rama nuk do veriun, nuk do veriorët.” Në atë pemën e komplikuar të familjes time, e kam në rrënjë. Me historinë e Shkodrës kam qenë shumë i lidhur. Gjyshja ime katolike ka ndikuar shumë tek unë. Atë Zef Pellumbin kam pasur privilegjin ta kem mik. Sot, 95% e territorit ka akse të aksesueshme, o me rrugë të bardha, o me rrugë me asfalt. Më shumë se çerek miliard euro investime për qarkun e Shkodrës: 414 projekte. Rindërtimi urban: afro 50 milionë euro, dhe këtu flasim për Malësi e Madhe, Pukë, Fushë-Arrëz, Vau i Dejës. Në një pjesë të konsiderueshme këtu ka hyrë tani edhe Bashkia Shkodër. Ujësjellës-kanalizime: 73 milionë euro janë investuar deri tani në 43 projekte. Energjia: 124 projekte, 809 milionë euro investime. Bujqësia: 43 milionë euro mbështetje për qarkun e Shkodrës. Arsimi: këtu është për të ardhur keq që nuk kemi më shumë, por tani ka filluar të ndryshojë për shkak të projekteve të reja të shkollave në Shkodër. Shëndetësia: 19 milionë euro, 56 projekte. Kultura: 3.5 milionë euro dhe me Benetin besoj që do shkojë më shumë. Investimi i përgjithshëm i qeverisë për qarkun e Shkodrës: 1.31 miliardë euro”, tha Rama.
Sondazhet
Kryeministri solli në vëmendje edhe reagimet që pa në disa medie mbi sondazhin e parë për zgjedhjet e 11 majit, i cili nxirrte fitues PS-në.
“Ishte shfaqja e parë e e anketimit të parë të atij sondazhistit të Presidentit Trump, i kontraktuar nga një televizion dhe isha shumë kurioz të shihja rezultatet e anketimit pasi e ndjek atë dhe është një nga më të famshmit në Amerikë dhe me një reputacion shumë të lartë. Ka arritur të shohë përtej sipërfaqes dhe për të dytën herë rresht ka parashikuar fitoren e Trump, ndërkohë që shumë sondazhe të tjera e nxirrnin humbës”, tha Rama.
Sipas Ramës, edhe komentet mbi këtë sondazh ishin totalisht brenda një realiteti të krijuar nga vetë ata që komentonin në studio.
“Akoma jam në vështirësi për të përshkruar se çfarë kam përjetuar kur shikoja ato të dhënat e anketave dhe pastaj duhet të dëgjoja komentatorët që ishin aty. Ishte e pabesueshme dhe e frikshme të mendosh se çfarë i bie këtij populli të shoh e të dëgjojë mbrëmjeve të debateve apo të komenteve politike nëpër ato pasqyrat ku një numër i caktuar njerëzish, pjesa me e madhe e të cilëve janë totalisht brenda një realiteti të krijuar nga vetë ata, arrijnë deri në atë pikë ku i pashë atë natë. Ajo befasi erdhi edhe si rezultat i faktit se nuk i ndjek që pas zgjedhjeve të 2009. Nuk shoh debate dhe emisione politike, por ndjek raportet që më bëjnë shumë shkurt kur ka gjëra të veçanta”, shtoi Rama.
Sipas tij, nëse shumica e shqiptarëve sipas sondazhit, mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur, komentatorët në studio e konsideronin “popullin të sëmurë”.
“Kur sondazhi tregonte se shumica mbështet PS-në, atëherë vjen komenti tjetër: ‘ose sondazhi është çmendur ose është çmendur populli’. Te pyetja se cila forcë politike mendon se do të fitojë. sondazhi tregonte një numër më të madh se ata që mbështesin PS-në, afro 57% që thoshin se do të fitojë PS-së. Sipas komentatorëve kjo tregon se problemi është edhe më i thellë, jo vetëm sëmundje, dhe çmenduri, pasi këtu jemi në një situatë kur populli është i shitur edhe i blerë!!!”, tha Rama.
Sipas tij, 95% e titujve që vendosen në pasqyrat e portaleve që e citojnë janë të shtrembëruara.
“Nuk besoj se është me qëllim, por është përfundimisht një botë e mbyllur brenda vetes. Për shembull, është prodhuar një lajm se zv.kryeministrja harxhon 10 mijë euro për të larë makinën! Kjo përsëritet, pastaj kthehet në fakt, pastaj në faj dhe pyetet: po si ka mundësi?”, tha Rama.
Integrimi në BE
Kryeministri, në fjalën e tij, theksoi se është e vërtetë se BE ka vizionin e vet gjeopolitik dhe strategjinë gjeopolitike, por kur vjen puna te negociatat nuk merret fare me politikë.
“BE-ja shikon nëse e ke bërë Reformën në Drejtësi apo jo, ka korrupsionin apo nuk ka. Ata kanë skuadër të superstazhionuar burokratësh që merren 24/7 me të gjitha vendet. Jemi nën mbikëqyrje. Ata merren me çdo detaj, studiojnë çdo sektor”, theksoi Rama.
Sipas tij, me BE-në po negociohen për mbi 250 mijë faqe, mbi çerek milioni fletë që nuk janë fletë shënimesh.
“Nuk është çështje pusullash, por është një kuadër rregullator i përgjithshëm: ligje, vendime, masa, standarde, kritere në çdo sektor. Në negociata janë të përfshirë 1 mijë nëpunës të shërbimit civil ose të institucioneve të tjera. Janë të gjitha institucionet e shtetit nga ato të drejtësisë, të pavarurat, rregullatorët etj. Janë të gjitha ministritë, me afro 40 grupe me negociatorët përkatës. 1 mijë nëpunës janë edhe nga krahu tjetër”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se BE-ja është makina më e madhe burokratike e botës.
“BE merret me çdo sektor, çdo detaj, çdo produkt. Do të negociosh çdo produkt dhe si do t’i hedhësh ti hapat për të përmbushur gjërat. Tani, si mundet që ata të pranojnë të negociojnë me një vend që nuk ka ujë, drita, bukë? Nëse ne nuk do të kishim bërë këto që kemi bërë dhe Shqipëria do të ishte qoftë edhe 25% e ngjashme me si e përshkruan këneta, ne nuk do ishim sot në tryezë me BE për të negociuar anëtarësimin. Natyrisht ne kemi probleme në të gjitha këto drejtime, por janë shumë më të reduktuara se sa kanë qenë më parë”, theksoi Rama në fjalën e tij në takimin për investimet në Shkodër.
Beci: Transformimi i Shkodrës ka filluar me fitoren e PS-së
Në fillim të këtij aktiviteti drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Shkodrës, Benet Beci, ka folur për transformimet që kanë ndodhur në Shkodër falë investimeve të qeverisë dhe punës së Bashkisë.
“Transformimi i Shkodrës ka filluar me fitoren e PS-së para dy viteve kur për herë të parë PS fitoi në qytetin më të madh të qarkut të veriut. Ne po punojmë fort për të përmbushur besimin e qytetarëve’, u shpreh Beci.
Sipas tij, Shkodra ka filluar të punojë për të tashmen dhe për të ardhmen.
“E gjetëm qytetin me një menaxhim shumë të dobët, plehra, inerte, shkolla të shkatërruara, pallate të mykura, rrugë të errëta. Sfidë e madhe që në dy vjet ne të jepnim mesazh të fortë pune, projektesh, optimizmi’, tha Beci.
Sipas tij, sot janë pa fund kantieret e këtij qyteti, nga Dukagjini, rruga e Komanit, Zdralja, hyrja e Shkodrës nga një vend ku ndërtimet pa leje nuk lejonin të shihej as liqeni e as lumi.
Sipas tij, transformimi i Shkodrës vjen nga ndryshimi i konceptit sesi qeveria bashkëpunon me pushtetin lokal me vizon të qartë drejt Bashkimit Evropian.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur takimin përmbyllës elektoral në ‘Bajram Curri’ ku…
“Ne duam të përgatitemi për ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, e dimë…
Tani është zyrtare. Gjyqtari polak Szymon Marciniak do të gjykojë ndeshjen e dytë gjysmëfinale të…
Do të luhet sot në orën 20:00, në “Arenën Kombëtare” gjysmëfinalja e parë e fazës…
A do ta vazhdojë Rumania kursin demokratik? Kjo përcaktohet në zgjedhjet e përsëritura presidenciale që…
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi të dielën Kryeministrin e rizgjedhur të Australisë, Antonio Albanese,…
This website uses cookies.