Protestë e PD para Kryeministrisë, policia merr masa për qarkullimin. Akset që do të bllokohen

policia merr masa p

Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet sot para Kryeministrisë, nga ora 18:00 deri në 20:00.

Në kuadër të këtyre masave, autoritetet policore njoftojnë se do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Konkretisht, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të protestës, kufizime të tjera mund të aplikohen edhe në akse të tjera rrugore. Për të shmangur vështirësitë në qarkullim, janë parashikuar rrugë alternative për devijimin e automjeteve.

Në përfundim, Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe garantimin e një proteste të qetë.