Protestë e kamionistëve, bllokohet qarkullimi i mallrave në pikën kufitare

greva kamionisteve

Protesta e kamionistëve ka sjellë bllokimin e qarkullimit të mjeteve të transportit të mallrave në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Aktualisht, asnjë kamion nuk lejohet të hyjë apo të dalë nga territori shqiptar, me përjashtim të mjeteve që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, municione apo armë, për arsye emergjente dhe sigurie.

Ky veprim vjen në kuadër të grevës së përbashkët të kamionistëve nga katër shtete të Ballkanit, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina si dhe Serbia. Kamionistët protestojnë kundër kufizimeve ditore të qëndrimit dhe qarkullimit në vendet e zonës Schengen, të cilat, sipas tyre, dëmtojnë rëndë aktivitetin dhe të ardhurat e tyre.

Si pasojë e protestës, në Qafë Thanë janë krijuar radhë të gjata kamionësh, ndërsa lëvizja e mallrave është pezulluar përkohësisht. Autoritetet kufitare po monitorojnë situatën dhe po zbatojnë masat e sigurisë për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e situatës.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar se sa do të zgjasë protesta, ndërsa pritet një reagim nga autoritetet e vendeve të prekura dhe institucionet e Bashkimit Evropian.