Protestat në Minneapolis, legjenda e rock-ut “trondit” Shtëpinë e Bardhë me këngën e re

Protestat në Minneapolis

Legjenda e rock-ut Bruce Springsteen ka publikuar një këngë të re, “Streets of Minneapolis”, një sulm frontal ndaj administratës së Presidentit Donald Trump dhe operacioneve federale për emigracionin, duke ndezur menjëherë debat të madh publik.

Kënga vjen vetëm disa ditë pas ngjarjeve tragjike në Minneapolis, ku dy protestues, Alex Pretti dhe Renee Good, humbën jetën nga ndërhyrja e agjentëve federalë. Springsteen e ka quajtur veprën e tij një reagim urgjent ndaj asaj që po ndodh në rrugët e Amerikës.

Teksti është i drejtpërdrejtë dhe pa kompromis. “The Boss” përshkruan një qytet në gjendje shtetrrethimi, “një qytet në flakë që lufton me zjarrin dhe akullin, nën çizmet e një pushtuesi”, ndërsa forcat federale i etiketon si “ushtria private e Mbretit Trump” – një varg që ka shkaktuar reagime të forta në rrjet.

Në deklaratën shoqëruese, Springsteen zbulon se kënga u shkrua dhe u regjistrua brenda një fundjave, sapo lajmi për vrasjet u bë publik.

“Kjo këngë i dedikohet popullit të Minneapolis, fqinjëve tanë të pafajshëm emigrantë dhe kujtimit të Alex Pretti dhe Renee Good,” shkruan ai.

Muzikalisht, “Streets of Minneapolis” nis si një baladë e errët me kitarë akustike, për t’u shndërruar gradualisht në një himn proteste me bandë të plotë dhe harmonikën ikonike të Springsteen – një rikujtim se muzika e tij mbetet po aq politike dhe e fuqishme sa dekada më parë.