Protestat në Iran vazhdojnë, Reza Pahlavi bën thirrje për revoltë
Protestat në Iran, të nisura më 28 dhjetor për shkak të krizës ekonomike, po vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin, pavarësisht ndërprerjes së internetit dhe dhunës së ushtruar nga forcat e sigurisë. Deri tani raportohet se më shumë se 50 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur.
Tashmë në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit iranian që u rrëzua në vitin 1979, ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për protestat. Ai gjithashtu ka bërë thirrje ndaj opozitës iraniane që të luajë një rol aktiv duke ndarë informacione mbi situatën në vend dhe duke siguruar që zëri i protestave të mos heshtë në nivel ndërkombëtar.
Në një prej postimeve të tij, Pahlavi kërkoi nga demonstruesit që jo vetëm të dalin në rrugë, por edhe të përgatiten për të mbrojtur qytetet e tyre dhe të furnizohen me pajisjet e nevojshme.
Krerët e disa vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën, kanë dënuar përdorimin e dhunës ndaj protestuesve dhe i kanë bërë thirrje Teheranit të respektojë të drejtat e qytetarëve.
Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehën shqetësimin për dhunën e ushtruar nga forcat e sigurisë iraniane.
Ndërkaq, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se vendi nuk do të dorëzohet përballë protestave të fundit, duke lënë të kuptohet një qëndrim të ashpër ndaj demonstruesve.
