Protesta para Kryeministrisë, policia procedim penal për Lapajn dhe 8 të tjerë, arrestohen 4 persona që hodhën sende të forta ndaj policisë
Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona pas protestës së djeshme para Kryeministrisë pasi akuzohen se kanë hedhur sende të forta ndaj policisë, si pasojë e të cilave u plagosën dy efektivë. Po kështu është proceduar penalisht kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj si dhe 8 të tjerë që vendosën çadrën dhe objekte të tjera në bulevard.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan 2 punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital”, njoftoi policia.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë.

Si pasojë e përplasjeve gjatë protestës së djeshme, pesë persona janë paraqitur mbrëmjen e djeshme në Spitalin Universitar të Traumës për ndihmë mjekësore, mes tyre edhe dy efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej efektivëve ka lënë ambientet e spitalit pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa tjetri vijon të jetë i shtruar nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, i cili mbeti i plagosur gjatë protestës, pas ekzaminimeve të kryera raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por vijon të qëndrojë i hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Gjithashtu, për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy protestues, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë ambientet e spitalit, pasi ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.
