Protesta e Velipojës zhvendoset para “SPAK” / Banorët kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik, përshkallëzohen tensionet me policinë

protesta rrjoll

Edhe në ditën e tretë të protestës, banorët e Baks-Rrjollit u përplasën me policinë, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonë.

 Ata pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të tokës dhe për këtë arsye kanë bllokuar rrugën hyrëse të kantierit, duke penguar futjen e makinerive të ndërtimit.

 Sipas banorëve, gjatë tensioneve ka pasur edhe goditje nga ana e policisë, ndërsa një i moshuar është dërguar në spital pasi humbi ndjenjat.

Banorët bëjnë me dije se ditën e nesërme do të protestojnë para SPAK-ut, për të kërkuar zgjidhje për shqetësimet e tyre.

Protestat e banorëve të Baks-Rrjollit kanë nisur në mars të vitit 2025, pas fillimit të punimeve për ndërtimin e resortit nga investitori strategjik.

 Ky i fundit pretendon se tokën e ka blerë nga shtetasi Fatmir Shpellzaj, ndërsa përfaqësues të rreth 60 familjeve thonë se ai ka falsifikuar dokumentet për të përfituar pronësinë e tokës në Baks-Rrjoll të Velipojës.

 Banorët janë ende në proces gjyqësor me shtetasin Fatmir Shpellzaj në Gjykatën e Apelit në Tiranë.