Protesta e PD-së- Deputeti Cara: Do të vijojnë. Kërkojmë një qeveri teknike

cara

Deputeti i PD-së, Igli Cara, në emisionin “Tema e Ditës”, të moderuar nga Arber Hitaj, komentoi protestën e mbajtur këtë të hënë nga opozita.

Deputeti i PD-së theksoi se protestat do të vijojnë.                                                   

“Pritej ndryshe, por mendoj që të tjera protesta do të vijnë. Do të ketë përshkallëzim dhe në vijim do të shohim skenarë të rinj për të organizuar protestat. Ju siguroj se nuk përfundon sot këtu. Do të ketë edhe reagime të tjera. Nuk është e rëndësishme si do të bëhet, por është e qartë që kjo qeveri ka rënë. Jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët po shohin të vërtetën e kësaj qeverie dhe po e perceptojnë atë siç është”, tha Cara.

Sipas Carës, problemet nuk janë vetëm të PD-së, por të gjithë shqiptarëve.

Nëse dikush mendon se protesta bëhet vetëm për PD-në, është gabim. Forcat politike do të kalojnë, por paratë dhe pronat publike nuk kthehen më. Këto veprime tregojnë që qeveria mendon vetëm për përfitime financiare”,tha ai.

Cara theksoi se qëllimi kryesor është largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i një qeverie teknike, e cila sipas tij “do të mundësojë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të pranuara nga të gjithë”.

“Nëse Rama shpall zgjedhje të parakohshme, opozita nuk trembet dhe nuk thotë kurrë ‘jo’, por kërkojmë një qeveri teknike që të mos ndikojë në proces. Kjo qeveri është e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të gjithëpranuara,” tha Cara.

Partia Demokratike zhvilloi këtë të hënë një protestë përballë Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Tubimi u shoqërua me momente tensioni pas fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, kur protestuesit hodhën molotovë në drejtim të godinës qeveritare dhe tentuan të çajnë kordonin policor. Megjithatë, tensionet zgjaten vetëm disa minuta, ndërsa më pas protestuesit u tërhoqën, duke mos regjistruar të tjera incidente.