Protesta e 20 shkurtit, Berisha: Paqja është forca jonë, nuk kërkojmë dhunë për forcë
Pas protestës së 10 shkurtit, kryedemokrati Sali Berisha ka njoftuar një tjetër protestë, atë të 20 shkurtit, që e cilëson si një kryengritje paqësore.
Në fjalën e tij për media, teksa thekson se protesta e 10 shkurtit ishte shenjuese në jhistporinë e përpjekjeve të shqiptarëve në kryengritjen ndaj asaj që ai e konsideron regjim, Berisha sqaron se protestuesit do të ngrihen më 20 shkurt pasi paqja për ta, përbën forcë.
Ai theksoi se opozitarët dhe mbështetësit e tyre nuk kërkojnë dhunë për forcë.
“Edhe njëherë, për demokratët dhe opozitarët, paqja është forca. Nuk kërkojmë dhunë për forcë, përkundrazi. Nuk shkojnë protestuesit aty për të qëlluar policët. Nuk shkojnë aty për dhunë.
Shkojnë të gjithë me urrejtje kundër Edi Ramës dhe zyrës së tij. Po, aty është përqendruar urrejtja dhe zemërimi popullor dhe ky përpiqet të përdorë policët si mish për top.
Ju e keni parë jehonën më të jashtëzakonshme, më të rrufeshme protesta e 10 shkurtit, të gjitha rrjetet televizive të botës duke nxjerrë para ekraneve fytyrat e urryera të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës.
I keni parë vetë në të katër anët. Sigurisht Edi Rama, ua them qytetarëve, gjersa ne t’i tregojmë vendin në mënyrë përfundimtare, ai nuk ikën se ka tmerr sepse absolutisht në qindra firma, ka vetëm krim, vjedhje, vjedhje, krim”, deklaroi Berisha.
