Protesta-Berisha fton të gjitha forcat politike opozitare: Dita e sotme shënon kthesën drejt fitores
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ftuar të gjitha forcat opozitare që të bashkohen në protestën e pasdites së sotme.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha ka theksuar se “pavarësisht nga dallimet që kemi, të bashkohemi sot, për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon dhe na pengon pa përmbysur regjimin më armiqësor, më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori”.
Sipas Berishës, dita e sotme shënon kthesën drejt fitores.
“Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitarë, pavarësisht nga dallimet që kemi, të bashkohemi sot, për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon dhe na pengon pa përmbysur regjimin më armiqësor, më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori. Unë kam besim të madh se Tirana po zien, se Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe. Do të shënojë kthesën drejt fitores të çdo qytetari të këtij vendi për dinjitetin e tij, për familjen e tij, për të ardhmen, por edhe për vendin dhe kombin e tij”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, Berisha ftoi qytetarët në protestë duke theksuar se “sot inaugurojmë fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës”.
Sipas Berishës, data e sotme 22 dhjetor është një ditë e shënuar që fton çdo shqiptar në protestë.
“Këto pak orë që na ndajnë nga protesta që inauguron fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij, ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, të dalin në sheshin e betejës. Të vijnë në Tiranë. Të bindim çdo shqiptare dhe shqiptar se një mision i madh na pret. Se ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vende të tjera. 22 dhjetori është një ditë e shënuar. Është një ditë që fton çdo shqiptar”, tha Berisha.
