Projektligji- Policia Bashkiake në “sitën” e Ministrisë së Brendshme, kryebashkiakëve u hiqet e drejta për emërimin e drejtuesve dhe rekrutimin e stafit
Policia Bashkiake pritet të pësojë transformimin më të thellë që nga krijimi i saj, përmes një projektligji të ri që synon t’i japë kësaj strukture një status të veçantë dhe të unifikuar në të gjithë vendin.
Drafti i propozuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, shfuqizon ligjin e vitit 2022 dhe sjell një risi themelore: krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Bashkiake.
Deri më sot, Policia Bashkiake ka funksionuar si strukturë tërësisht lokale, e varur vetëm nga Kryetari i Bashkisë. Projektligji i ri, sipas relacionit, ndryshon lojën duke vendosur një sistem hibrid.
Në nivel qendror krijohet Drejtoria e Përgjithshme, e cila do të jetë në varësi të Ministrit të Brendshëm. Ky institucion do të jetë autoriteti më i lartë teknik, që do të mbikëqyrë, koordinojë dhe trajnojë policët bashkiakë në të gjithë Shqipërinë.
Drejtori i Përgjithshëm nuk do të emërohet nga kryebashkiakët, por me Vendim të Këshillit të Ministrave, pas një konkursi të hapur. Ndërkohë, në nivel lokal, Drejtoritë Vendore do të vazhdojnë t’i përgjigjen Kryetarit të Bashkisë për operacionet ditore, por standardet dhe kontrollin teknik do ta marrin nga qendra.
Një nga problemet më të mprehta të policive bashkiake ndër vite, sipas relacionit, duket se kanë qenë punësimet nepotike apo pa kritere.
Neni 19 dhe 20 i draftit sanksionojnë se punësimi do të bëhet vetëm përmes një “Portali Unik” dhe konkurrimi të hapur. Kandidatët do t’i nënshtrohen:
Testimit me shkrim (60% të pikëve).
Testimit të aftësive fizike (20% të pikëve) – i cili do të kryhet nga Akademia e Sigurisë (Policia e Shtetit).
Intervistës (20% të pikëve).
Fituesit do të duhet të kalojnë një trajnim të detyrueshëm 4-javor pranë institucioneve arsimore të Policisë së Shtetit para se të marrin detyrën.
Kompetencat e reja dhe uniforma unike
Projektligji zgjeron dhe qartëson fushën e veprimit të policëve bashkiakë. Përveç detyrave tradicionale, ata do të kenë rol kyç në:
Mbrojtjen e mjedisit dhe ndalimin e ndotjes akustike (zhurmat).
Sigurinë në plazhe dhe ujërat e brendshme.
Monitorimin e tregjeve dhe ndalimin e qeseve plastike.
Bllokimin e rrugëve në raste emergjencash në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Konstatimin e ndërtimeve pa leje.
Gjithashtu, pamja e jashtme do të ndryshojë. Nuk do të ketë më uniforma të ndryshme sipas qyteteve. Policia Bashkiake do të ketë uniformë, stemë dhe shenja dalluese unike në të gjithë Republikën, të cilave do t’u shtohet vetëm stema e bashkisë përkatëse.
Disiplina dhe statusi
Punonjësit e Policisë Bashkiake fitojnë statusin e nëpunësit të administratës publike me “status të veçantë”. Projektligji parashikon masa të rrepta disiplinore, nga vërejtja deri te largimi nga puna, për shkelje si korrupsioni, përdorimi i uniformës jashtë orarit, apo sjellja e papërshtatshme me qytetarët.
Projektligji pritet të kalojë për miratim në Kuvend dhe parashikon një periudhë tranzitore 6-mujore për riorganizimin e strukturave ekzistuese pas hyrjes në fuqi.
