Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet, një mbrojtje efikase që ul risqet për buxhetin

Ergis Sefa

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, i cili parashikon mbulimin e humbjeve financiare të pësuara nga dëmet e shkaktuara prej tërmeteve.

Është një hap pozitiv, sepse koston nga të gjithë qytetarët, që ishte deri më sot, kur buxheti i shtetit duhet të kompensonte për dëmet e tërmeteve, e çon në një skemë të re financiare dhe vetëm ata që do të dëmtohen do të jenë ata që do të përfitojnë nga fondi i ri,” shprehet eksperti Ergis Sefa.

Sipas tij, modelet rajonale, si Turqia dhe Rumania, kanë bërë të mundur një ndihmë më të shpejtë dhe efikase për qytetarët e dëmtuar.

Nga ana tjetër, ky mekanizëm minimizon rreziqet për buxhetin e shtetit.

Në rast të një fatkeqësie, buxheti i shtetit nuk kontribuon më, pra nuk merr kolpo apo goditje, por ky fond u shërben të dëmtuarve,” sqaron eksperti i ekonomisë.

Për z. Sefa, ligji nuk krijon konkurrencë të padrejtë në treg, por është një mekanizëm jashtë tregut normal të sigurimeve, që aktivizohet vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Drafti përfshin gjithashtu mekanizma të auditimit dhe mbikëqyrjes financiare.

Mekanizmat do të bëjnë monitorimin jo vetëm nga brenda, qeveria, por edhe nga aktorë të jashtëm, që mund të jetë media dhe shoqëria civile,” tregon eksperti.

Projektligji parashikon gjithashtu masa shtrënguese për ata qytetarë apo subjekte që refuzojnë të lidhin kontratë për sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve. Sipas nenit 33, ata do të përjashtohen nga shërbimet kadastrale, ato të platformës e-Albania, si dhe nga shërbimet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke e bërë sigurimin një detyrim të pandashëm nga aksesimi i shërbimeve publike.