Projektligji për import/eksport të armëve të zjarrit, Vengu: Forcojmë kontrollin shtetëror, afrohemi me standardet e BE-së

vengu 23

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka theksuar se vendi do të forcojë kontrollin e importit dhe eksportit të armëve të zjarrit.

Gjatë prezantimit të projektligjit “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve” në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministri Vengu theksoi se nisma ligjore vjen si një nevojë reale për modernizimin e kontrollit shtetëror mbi transferimet ndërkombëtare të armëve të zjarrit.

“Ky projektligj vjen si një nevojë reale për të modernizuar kontrollin shtetëror mbi transferimet ndërkombëtare të armëve të zjarrit. Dy janë angazhimet e shtetit shqiptar: vijimi me një paketë ligjore që parashikon reformimin e ligjit për kontrollin shtetëror të transferimit të mallrave ushtarake dhe atyre me përdorim të dyfishtë, si dhe një projektligj tjetër për rregullimin specifik të armëve të zjarrit në vendin tonë. Detyrimet që çuan drejt kësaj reforme burojnë nga Protokolli i OKB-së dhe direktivat e fundit të Bashkimit Evropian, të cilat forcojnë ndjeshëm kuadrin ligjor dhe vendosin standarde të reja për kontrollin e importeve dhe eksporteve të armëve të zjarrit. Legjislacioni ekzistues nuk ishte i mjaftueshëm dhe për këtë arsye kërkohej një ligj i ri”, tha Vengu.

Vengu sqaroi se kjo reformë buron nga detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë, të cilat rrjedhin nga Protokolli i OKB-së dhe direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian, që forcojnë ndjeshëm kuadrin ligjor dhe vendosin standarde të reja për kontrollin e importeve dhe eksporteve të armëve të zjarrit.

“Synojmë të krijojmë një sistem të fortë, të unifikuar dhe transparent të kontrollit shtetëror për importin dhe eksportin e armëve të zjarrit, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm. Një element tjetër thelbësor është gjurmueshmëria e gjithë zinxhirit, që nga dërgesa deri në mbërritje, si dhe një kontroll i plotë deri te përdoruesi fundor. Projektligji është në përputhje të plotë me legjislacionin evropian, çka kërkohet edhe nga procesi i negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha ministri.

Ministri tha se ky projektligj nuk prek kompetencat e Policisë së Shtetit, ndërsa qartëson ndarjen e përgjegjësive mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

“Kompetencat e Policisë së Shtetit mbeten të paprekura dhe të pandryshuara, ndërsa projekti ndan dhe qartëson kompetencat mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, tha ai.