Projektligj i ri “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, krijohet agjenci e re

Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë së shpejti një projektligj tërësisht të ri “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, i cili synon të modernizojë dhe harmonizojë thellësisht kuadrin ligjor vendas me standardet më të fundit të Bashkimit Evropian. Ky akt ligjor, i cilësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) si një qasje “tërësisht e re, substanciale dhe sistematike”, do të konsolidojë në një bazë të vetme dhe koherente të gjithë legjislacionin ekzistues për mbrojtjen e konsumatorëve.
Drejt standardeve evropiane, një vështrim i detajuar
Qëllimi kryesor i projektligjit është të transportojë në mënyrë të plotë dhe të saktë trembëdhjetë direktiva dhe një rregullore të BE-së, të cilat adresojnë zhvillimet më të rëndësishme në të drejtën e konsumatorit. Kjo përfshin problematika të tregut digjital, tregtisë online, pretendimeve mjedisore (si “greenwashing”), dhe thekson nevojën për forcimin e pozicionit të konsumatorit në një ekonomi të qëndrueshme.
Ndër direktivat kryesore janë për:
- Përmirësimin e zbatimit dhe modernizimin e rregullave të BE-së për mbrojtjen e konsumatorëve.
- Fuqizimin e konsumatorëve për tranzicionin e gjelbër përmes informimit më të mirë dhe kufizimit të praktikave mjedisore të rreme.
- Kontratat për furnizimin me përmbajtje dhe shërbime digjitale.
- Shitjen e mallrave dhe të drejtën për riparim.
- Shërbimet financiare të ofruara në distancë.
- Bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve për mbrojtjen e konsumatorit.
Përparësitë dhe efektet e pritshme
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, thekson në relacionin shoqërues se “projektligji sjell përparësi të shumta”.
Këtu përfshihen konsolidimi i legjislacionit të fragmentuar, qartësimi i të drejtave të konsumatorëve para dhe pas lidhjes së kontratës (përfshirë të drejtën për tërheqje), rregullimin e situatave specifike si mospërputhshmëria e mallrave apo përdorimi i ndërfaqeve manipuluese në platformat digjitale (dark patterns), si dhe krijimin e bazës për zbatim efektiv përmes mekanizmave civile dhe administrative me sanksione proporcionale dhe parandaluese.
Efektet e pritshme janë pozitive dhe shumëplanëshe:
Në afat të shkurtër- Pritet rritje e transparencës në marrëdhëniet kontraktore dhe përmirësim i praktikave tregtare.
Në afat të mesëm- Rritje e besimit të konsumatorëve, fuqizimi i vendimmarrjes së tyre dhe nxitja e konkurrencës së ndershme.
Në afat të gjatë- Reduktim i mbetjeve, zgjatje e ciklit jetësor të produkteve dhe përmbushje e objektivave të politikave mjedisore të BE-së, falë dispozitave për konsum të qëndrueshëm dhe të drejtën për riparim.
Projektligji adreson gjithashtu vërejtjet e përsëritura të Komisionit Evropian mbi përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me acquis-në, duke përfshirë nevojën për të përmirësuar zbatimin, koordinimin ndërinstitucional dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes.
Kuadri i ri institucional, krijimi i AKMK-së
Një ndër risitë më të mëdha të projektligjit është krijimi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK). Kjo agjenci do të jetë organi administrativ i posaçëm dhe përgjegjës për zbatimin e ligjit, duke marrë kompetenca të zgjeruara në monitorim, hetim, mbikëqyrje dhe sanksionim të shkeljeve. AKMK do të ketë rol parësor në trajtimin e ankesave, kryerjen e hetimeve administrative dhe vendosjen e masave, si dhe do të jetë përgjegjëse për edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut.
Megjithatë, hartuesit e projektligjit identifikojnë sfida kryesore në zbatimin praktik të dispozitave të reja, siç janë ndërgjegjësimi i tregtarëve dhe kapacitetet institucionale, veçanërisht lidhur me konceptin e pajtueshmërisë me kontratën, funksionimin e së drejtës për riparim dhe harmonizimin e kontratave online.
Ngarkohen me zbatimin e këtij projektligji, përveç MEKI-t dhe AKMK-së, edhe institucione si Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Banka e Shqipërisë (BSH), Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT).
Kostot dhe faza e zbatimit
Për ngritjen dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila parashikohet të ngrihet në vitin 2027, janë parashikuar kosto prej afërsisht 122,491,245.00 lekë. Kjo shumë përfshin pajisjet e zyrave, pagat e punonjësve dhe shpenzimet operative, dhe do të parashikohet në buxhetin e vitit 2027.
Ky projektligj, i përgatitur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me mbështetjen e GIZ, ka konsultuar modele nga Kroacia, Sllovenia, Italia dhe Gjermania, si dhe është bazuar në një analizë të gjerë të ndikimit rregullator. Ai përfaqëson një hap thelbësor drejt një tregu më të sigurt dhe të drejtë për konsumatorët shqiptarë, si dhe një përgatitje efektive për integrimin në Bashkimin Evropian.
Një vështrim detajuar në gjashtë pjesët kryesore
Pjesa I: Dispozitat e Përgjithshme – Baza e re e mbrojtjes
Kjo pjesë shërben si themeli i ligjit, duke përcaktuar objektin, qëllimin dhe fushën e zbatimit të tij. Ajo shtron bazat për mbrojtjen e konsumatorit në të gjithë tregun, duke përfshirë edhe atë elektronik. Këtu do të gjeni përkufizimet thelbësore si konsumatori, tregtari, produkti dhe kontrata e konsumatorit. Gjithashtu, theksohen parimet mbi të cilat mbështetet e gjithë mbrojtja, si transparenca, ndershmëria, proporcionaliteti dhe një fokus i veçantë te mbrojtja e konsumatorëve vulnerabël.
Pjesa II: Praktikat Tregtare – Lufta kundër mashtrimit dhe reklamimit të rremë
Kjo pjesë trajton rregullat që lidhen me sigurinë e produkteve dhe shërbimeve, përgjegjësinë e prodhuesve dhe detyrimet e tyre për të informuar saktë konsumatorin. Ajo përfshin dispozita të forta kundër praktikave të padrejta tregtare, mashtrimeve dhe reklamës së pavërtetë. Një aspekt i ri dhe shumë i rëndësishëm është adresimi i pretendimeve mjedisore të pajustifikuara (greenwashing), duke vendosur kufij të qartë për nxitjen agresive dhe mashtruese të konsumatorit. Qëllimi është të ndalohen praktikat që cenojnë lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve dhe të rregullohet publiciteti çorientues dhe krahasues.
Pjesa III: Kontratat me Konsumatorin – Të drejta të qarta në çdo marrëveshje
Kjo është pjesa më e zgjeruar dhe thelbi i rregullimit të marrëdhënieve kontraktore. Ajo përfshin dispozita për kushtet e padrejta në kontratat me konsumatorin dhe përcakton të drejtat e konsumatorit në përgjithësi. Këtu trajtohet mbrojtja specifike për kontratat jashtë qendrave të tregtimit dhe ato të lidhura në largësi. Ligji rregullon gjithashtu të drejtën e konsumatorit për të hequr dorë nga kontrata, duke garantuar transparencën në informacionin për çmimet dhe karakteristikat e produkteve dhe shërbimeve. Veçanërisht, kjo pjesë përfshin dispozita për kontratat e shitjes së mallrave dhe për furnizimin me përmbajtje dhe shërbime digjitale, ku përcaktohen edhe mjetet për të drejtën për riparim, zëvendësim, ulje çmimi apo zgjidhje të kontratës. Kontratat për pushime afatgjata dhe kontratat “timeshare” mbeten të rregulluara si në ligjin e mëparshëm.
Pjesa IV: Mbrojtja Procedurale – Mjetet për zgjidhjen e problemeve
Kjo pjesë vendos rregulla të detajuara për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve konsumatore (ZAM), trajtimin e ankesave, ndërhyrjet administrative dhe paditë për mbrojtje kolektive. Përcaktohen qartë detyrimet për tregtarët, roli i autoriteteve mbikëqyrëse dhe garancitë procedurale për konsumatorët. Këtu përfshihet edhe e drejta për përfaqësim nga organizatat përkatëse dhe qasja ndaj mekanizmave të drejtësisë efektive, duke përfshirë edhe mjetet digjitale.
Pjesa V: Kuadri Institucional – Riorganizimi i mbrojtjes së konsumatorit
Kjo pjesë riorganizon strukturën institucionale kombëtare për mbrojtjen e konsumatorit. Ajo përcakton autoritetet përgjegjëse, si Kuvendi, Këshilli i Ministrave, ministria përgjegjëse, inspektoriatet, Këshilli Bashkërendues, organizatat jofitimprurëse dhe njësitë vendore. Më e rëndësishmja, kjo pjesë prezanton Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK), si një organ administrativ i posaçëm dhe përgjegjës për zbatimin e ligjit, me kompetenca të zgjeruara në monitorim, hetim, mbikëqyrje dhe sanksionim të shkeljeve. AKMK do të jetë nyja qendrore për trajtimin e ankesave, hetimin administrativ dhe edukimin e publikut.
Pjesa VI: Dispozitat Kalimtare dhe të Fundit – Sigurimi i një tranzicioni të qetë
Pjesa e fundit e ligjit parashikon masat tranzitore për zbatimin e tij. Këtu përfshihen përcaktimet për aktet nënligjore që duhet të miratohen brenda afateve të caktuara, si dhe rregullat për referencat në legjislacionin ekzistues. Kjo pjesë është thelbësore për të siguruar një tranzicion të qetë dhe të koordinuar nga ligji aktual në kuadrin e ri ligjor, duke minimizuar çdo paqartësi gjatë implementimit.