Projektbuxheti i arsimit për vitin 2026, Kumbaro: Në fokus kërkimi shkencor, rritja e pagave dhe infrastruktura
Arsimi do të mbështetet vitin e ardhshëm me më shumë fonde sesa një vit më parë.
Me një buxhet prej 64 miliardë e 865 milionë lekë, me një shtesë prej 2 miliardë e 845 milionë lekë nga buxheti fillestar, vitin e ardhshëm është parashikuar mbështetje për kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, si dhe infrastrukturën e re për hapësirat universitare, por edhe në shkollat 9-vjeçare e të mesme.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në prezantimin e saj në Komisionin e Edukimit, sqaroi se çfarë konkretisht do të mbulojë ky buxhet.
“Ky buxhet nuk njeh thjesht shifra, por pas shifrave ka histori njerëzore, historinë e mësuesit që paguhet më mirë, që kualifikohet në mënyrë më të rregullt. Historinë e nxënësit që mëson në shkolla të rindërtuara dhe krejt të reja. Të studentit që ka akses në laboratorë dhe në programe që synojnë ndërkombëtarizimin dhe mundësi për t’u mbështetur financiarisht në kërkimin shkencor”, tha ministrja Kumbaro.
Ky projektbuxhet parashikon mbulimin e transportit për nxënës dhe mësues që ushtrojnë detyrën në distancë nga vendbanimi, si dhe shpenzimet e teksteve shkollore.
“Fondet e planifikuara për shpenzimet korente, të cilat do të financojnë mbulimin e transportit për rreth 38 mijë nxënës që banojnë mbi 2 kilometra larg nga shkolla. Tekste shkollore falas për rreth 236 mijë nxënës nga klasa e parë në klasën e 9-të”, tha ajo.
Ndërsa 146 milionë euro janë planifikuar të financohen për programin e arsimit të lartë dhe atë të kërkimit shkencor.
“Sa i përket kërkimit shkencor, buxheti i vitit 2026 parashikon një mbështetje të zgjeruar për zhvillimin e programeve kërkimore, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe lidhjen e kërkimit me sektorin privat”, nënvizoi ajo.
Një pjesë e buxhetit 2026 është parashikuar të shkojë edhe për rindërtimin e godinave shkollore dhe atyre universitare.
