Programi i Rijetëzimit të Kullave në veri të vendit, Gonxhja: Restaurimi i tyre, për qëllime turistike, kulturore dhe edukative
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi sot “Programin e Rijetëzimit të Kullave”, një nismë strategjike që synon dokumentimin, restaurimin dhe vënien në funksion të kullave tradicionale në qarqet e Dibrës, Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës, si pjesë e zhvillimit të turizmit kulturor dhe ekonomik të Shqipërisë së Veriut.
“Sot prezantojmë planin e rijetëzimit të kullave, një nisëm e jona që synon të dokumentojë, restaurojë dhe të vërë në funksion këto objekte unike të trashëgimisë sonë. Kullat përfaqësojnë mënyrën e jetesës, ndërtimit dhe organizimit shoqëror në rajonet e ndryshme të veriut, ndaj është detyrë e jona t’i ruajmë dhe t’i rikthejmë në jetë”, tha ministri Gonxhja.
Sipas ministrit Gonxhja, interesi për turizmin kulturor në vend është në rritje të qëndrueshme vitet e fundit, dhe kjo nismë do të ndihmojë në zgjerimin e ofertës turistike, sidomos në zonat veriore, ku tradita dhe arkitektura unike e kullave përbëjnë një pasuri të veçantë kombëtare.
“Programi është i ndarë në dy faza, e para 2025-2026 që përfshin qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës ku së pari do të bëhen inventarizimi, vlerësimi dhe përzgjedhja e kullave që do të përfshihen ne projekte pilot, dhe faza e dytë 2026-2027 që do të bëhet dhe zbatimi konkrete i ndërhyrjeve dhe funksionimi i tyre. Gjatë viteve të fundit ka në rritje të qëndrueshme të turizmit për trashëgiminë kulturore”, tha Gonxhja.
Programi do të zhvillohet në dy faza:
Faza e parë (2025–2026) përfshin inventarizimin, vlerësimin dhe përzgjedhjen e kullave që do të përfshihen në projektet pilot në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës.
Faza e dytë (2026–2027) do të fokusohet në restaurimin konkret, rijetëzimin dhe vënien në funksion të tyre për qëllime turistike, kulturore dhe edukative.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit synon që ky program të shndërrohet në një model zhvillimi të qëndrueshëm përmes trashëgimisë kulturore. Ky program, tha Gonxhja, parashikon restaurimin dhe konservimin e shtëpive-kullë dhe transformimin e tyre në shtëpi pritëse tradicionale, muze apo qendra kulturore, duke i kthyer në asete të turizmit të qëndrueshëm që gjallërojnë ekonominë lokale dhe forcojnë identitetin rajonal.
