Proda takon maturantët e Shkodrës: Zgjidhni Akademinë e Sigurisë, hapi drejt të ardhmes

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ishte sot në Shkodër për të takuar maturantë, duke i ftuar ata të shohin Akademinë e Sigurisë si një rrugë drejt së ardhmes dhe një mundësi për t’i shërbyer vendit.
I shoqëruar nga drejtues të lartë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Shkodër, Brisela Kadija, Proda theksoi rëndësinë e misionit policor dhe avantazhet e të qenit pjesë e këtij institucioni.
Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i të rinjve për të zgjedhur Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë, duke ndjekur studimet “Bachelor”. Gjatë diskutimit, u fol gjerësisht për kriteret e pranimit dhe mundësitë e shumta që ofron Akademia.
Në fjalën e tij përballë maturantëve, Drejtori Proda theksoi se “Policia nuk është thjesht një profesion, Policia është një mision, i vështirë, por jashtëzakonisht fisnik.” Ai theksoi se ky mision ka si qëllim kryesor shërbimin ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës e pronës së tyre.
“Nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh mundësinë për t’iu shërbyer qytetarëve. Policia përherë ka nevojë për fytyra të reja, për energji të reja, për një imazh të ri. Ndaj ju ftoj që të zgjidhni Akademinë e Sigurisë! Zgjidhni Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin! Policia e Shtetit ju pret, Shqipëria ka nevojë për ju. Bashkohuni me ne, sepse siguria është mision që kërkon zemër,” deklaroi Drejtori.
Proda vuri në dukje se Policia e Shtetit është sot “më e konsoliduar, e mirëtrajnuar, e besueshme dhe e barabartë me policitë homologe.” Ai shtoi se institucioni është gjithashtu “më i mirëpaguar dhe e pajisur me mjete logjistike bashkëkohore.”
Një tjetër pikë kyçe ishte theksimi i certifikimit të Akademisë së Sigurisë nga Ministria e Arsimit dhe nga akademitë evropiane e amerikane, me module të standardizuara ndërkombëtarisht, çka garanton një arsimim cilësor.
Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Shkodër, Brisela Kadija, falënderoi Drejtorin Proda për zgjedhjen e Shkodrës dhe inkurajoi të rinjtë të konsiderojnë Akademinë e Sigurisë, duke theksuar se mbajtja e uniformës së Policisë së Shtetit do të ishte “privilegj dhe krenari” për ta.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, gjithashtu shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e Drejtorit dhe vlerësoi rendin e sigurinë në qytet, duke i bërë thirrje të rinjve të kontribuojnë në këtë drejtim.
Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm në tërheqjen e brezave të rinj drejt një karriere me përkushtim ndaj sigurisë publike.