Proda: SEPCA, platformë kyçe për sigurinë dhe bashkëpunimin policor në Evropën Juglindore

Ilir Proda, në fjalë

Ka nisur punimet Asambleja e Dytë SEPCA-S, nën presidencën e Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në fjalën e mbajtur në takimin rajonal të policive të Evropës Juglindore, e cilësoi këtë forum si platformën më gjithëpërfshirëse dhe funksionale të bashkëpunimit policor në rajon.

Proda theksoi rëndësinë simbolike të Vlorës, si qyteti ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 dhe ku u hodhën themelet e Policisë Shqiptare. Sipas tij, zgjedhja e këtij qyteti lidhet edhe me rolin strategjik që Vlora ka në monitorimin e kufirit detar dhe në bashkëpunimin operacional rajonal.

SEPCA ka evoluar në një strukturë solide bashkëpunimi, ku policitë e rajonit jo vetëm shkëmbejnë informacion, por ndërtojnë standarde të përbashkëta, zhvillojnë operacione të koordinuara dhe japin përgjigje të sinkronizuara ndaj sfidave të sigurisë,” u shpreh Proda.

Ai theksoi se sot SEPCA është një organizëm i besueshëm, i orientuar drejt rezultateve konkrete dhe me ndikim real në rritjen e sigurisë në Ballkanin Juglindor, duke u konsideruar një partner serioz edhe nga Bashkimi Evropian dhe agjencitë ndërkombëtare të sigurisë.

Proda garantoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të këtij forumi, duke e konsideruar atë një model bashkëpunimi rajonal. Ai shprehu bindjen se Presidenca e ardhshme e Bosnjë-Hercegovinës do të sjellë vazhdimësi dhe rezultate konkrete, ndërsa vlerësoi si të rëndësishëm edhe zgjerimin e platformës me përfshirjen e Policisë së Kosovës.

Në përfundim, Proda falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme, duke veçuar Ministrinë e Brendshme të Austrisë dhe Klaus Mits për kontributin në zhvillimin e aktiviteteve të SEPCA-s, dhe uroi punime të frytshme për pjesëmarrësit.