Procedohet menaxheri i hotelit / Policia regjistron shkelje rrugore, zhurmë jashtë orarit dhe konflikte pronësie

policia nentor lart

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për një 27-vjeçar, banues në fshatin Melgushë, i cili, duke drejtuar automjetin, ka përplasur nga pas një automjet tjetër.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar lehtë drejtuesja e mjetit tjetër, 32 vjeçe, banuese në fshatin Boriç i Madh, si dhe pasagjerja,  një grua.

Po ashtu, ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për një 14-vjeçar, i kapur duke drejtuar automjet pa leje drejtimi.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori për një 67-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer punime ndërtimi pa leje.

Procedim në gjendje të lirë ka nisur edhe për dy shtetas, përkatësisht 52 dhe 34 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrolleve në lokalet në pronësi të tyre, në lagjen “Vasil Shanto”, u konstatua muzikë jashtë orarit të lejuar.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një 20-vjeçar, banues në Shkodër, menaxher i një hoteli, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, pasi dyshohet se ka fshirë pamjet filmike të kamerave të sigurisë me qëllim moszbardhjen e një ngjarjeje, ku është qëlluar me gurë drejt banesës së një 35-vjeçareje.

Po ashtu, materialet janë referuar në Prokurori edhe si njoftim mbi faktin, pas kallëzimit të një 66-vjeçari, i cili pretendon se një 34-vjeçar po i cenon pronën duke ndërtuar një gardh rrethues, pronë për të cilën të dyja palët pretendojnë se disponojnë dokumentacion pronësie.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.