Procedim penal për dy shtetas – Akuzohen për fshehje të të ardhurave dhe lidhje të paligjshme të energjisë

policia shkoder motorra

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Policinë e Shkodrës kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit H. A., 73 vjeç, pronar i një tregu veshjesh në qytet.

 Ai akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi nga verifikimet rezultoi se operonte pa dokumentacionin përkatës.

Ndërkohë, është regjistruar një tjetër procedim penal në gjendje të lirë për shtetasen Xh. M., 55 vjeçe, banuese në Pukë.

 Gjatë kontrolleve të kryera nga OSHEE, në banesën e saj u zbulua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Qarkut Shkodër bëhet e ditur gjithashtu se shtetasi G. Z., 69 vjeç, ka kallëzuar largimin nga banesa të vajzës së tij, shtetases G. Z., 41 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor.

 Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e saj.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për verifikimin e dy kallëzimeve të tjera: një për vjedhjen e një shume parash në një banesë në lagjen “Liria”, dhe tjetra për dëmtimin e dy varreve në fshatin Rrjoll të Velipojës.