Prioritet punësimi i të rinjve  / AKPA Shkodër: Gjatë këtij viti synohet përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve

punesimi i te rinjve

Përmirësimi i shërbimeve me qëllim nxitjen e punësimit, veçanërisht të të rinjve, mbetet një nga prioritetet kryesore të Zyrës Rajonale të Punësimit në Shkodër edhe për vitin 2026.

 Sipas drejtoreshës së kësaj zyre, Rozafa Zmijani, viti 2025 ka rezultuar ndër më të suksesshmit për sa i përket përfshirjes së të rinjve në programet e punësimit, ndërkohë që për vitin aktual synohet zgjerimi i mëtejshëm i tregut të punës dhe rritja e mundësive për integrim profesional.

Një tjetër fokus i rëndësishëm për vitin 2026 do të jetë asistenca dhe ndjekja e ecurisë së bizneseve të hapura nga punëkërkuesit në kuadër të programeve të punësimit, të mbështetura me grante nga qeveria.

Gjatë pesë viteve të fundit, këto programe kanë krijuar mundësi konkrete për vetëpunësim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Në muajin dhjetor të vitit 2025, projektet e bizneseve të 50 punëkërkuesve të papunë nga qarku i Shkodrës u përzgjodhën si përfitues të granteve me vlerë deri në 1 milion lekë, në kuadër të Programit të Vetëpunësimit 2025.

Projektet fituese, të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, përfshijnë një gamë të gjerë aktivitetesh, që nga shërbimet dhe tregtia, deri te artizanati dhe prodhimi i vogël.