Prezantohet platforma “Export ON”, Rama: Mbështetje për eksportet dhe transformimin e sipërmarrjes

“Export ON”, Rama

Në një event që mblodhi aktorët kryesorë të fushës së eksporteve, u prezantua platforma “Export ON”, e cila do të merret me matjen e indikatorëve të punës së përditshme të kompanive eksportuese dhe çdo vit do të publikojë raportin e vet mbi lëvizjen e volumit eksportues. Ky mekanizëm pritet t’i shërbejë qeverisë për të adresuar nevojat e sektorit dhe për të orientuar politikat ekonomike.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitet, theksoi rëndësinë e përgatitjes së kompanive shqiptare për sfidat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

BE është një hapësirë mundësish të jashtëzakonshme, por edhe një prag sfidash të jashtëzakonshme. Ata që do të jenë të gatshëm të adaptohen do të jenë fitues,” u shpreh ai.

Rama nënvizoi se një nga objektivat kryesorë është rritja e vlerës së krijuar në vend, duke mbështetur prodhimet “Made in Albania” si pasaportë për tregun europian. Ai paralajmëroi se qeveria do të ofrojë mbështetje direkte për certifikimet ndërkombëtare, të cilat do të ndihmojnë bizneset të futen më shpejt në tregun e përbashkët.

Një nga gjërat më të rëndësishme për ekonominë tonë është domosdoshmëria për të rritur vlerën e krijuar në vend dhe një  nga sfidat dhe objektivat më të rëndësishëm të AIDA është pikërisht mbështetja e eksporteve duke mbështetur prodhimet made in Albania. Qeveria është këtu për ta mbështetur përpjekjen për ta vendosur eksportuesin në qendër  dhe për ta çuar në  nivel tjetër marrëdhënien mes eksportuesve dhe shtetit shqiptar duke shfrytëzuar AIDA si një stacion ku eksportuesit dhe institucionet shtetërore takohen. ‘Made in Albania’ është një pasaportë në BE. Për këtë  arsye ne do të mbështesim të gjithë ata që do të synojnë t’i japin vetes këtë pasaportë duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar te konkurrenca me standarde të larta. mbështetja direkt që ne do të  japim për certifikimet ndërkombëtare është diçka që ne e shohim si investim strategjik të shtetit, por për ta ndihmuar biznesin të futet më shpejt në tregun e përbashkët europian”, u shpreh ai.

Kryeministri foli edhe për tranzicionin e pashmangshëm nga fasoneria e thjeshtë drejt ciklit të mbyllur të prodhimit, duke përfshirë dizajnin, tekstilet dhe përpunimin e drurit. Sipas tij, sipërmarrjet që i besojnë inovacionit dhe transformimit janë ato që do të fitojnë, ndërsa theksoi se mbështetja e shtetit “nuk mund të jetë oksigjen i përhershëm për bizneset”.

“Tranzicioni i pashmangshëm nga fasoneria e thjeshtë te cikli i mbyllur te dizajni, tekstilet, përpunimi i drurit na ka dhënë një provë që kush nuk pret që vazhdimësia e sipërmarrjes t’i garantohet nga oksigjeni i shtetit, por i beson inovacionit dhe vetë transformimit, fiton. Kush pret që të  vazhdojë të rrijë aty ku është mësuar duke u mbajtur me oksigjen nga shteti, është vetëm duke shtyrë në agoni ditën e fundit. Besojmë shumë te manifaktura, të gjithë ata që po ecin në rrugën e transforimit dhe për të krijuar më shumë lerë të shtuar përmes manifakturës, do të bëjmë më shumë në mbështetje të sipërmarrjeve që do të përqafojnë sfidën e transformimit”, deklaroi ai.

Një tjetër prioritet i qeverisë, sipas Ramës, është agropërpunimi. Ai theksoi se faza e eksportit të lëndës së parë duhet të tejkalohet, duke u fokusuar te përpunimi brenda vendit për të mbajtur më shumë vlerë të shtuar. Rama përmendi krijimin e një rrjeti të konsoliduar grumbullimi dhe agropërpunimi, si dhe lehtësimin e procedurave eksportuese përmes digjitalizimit dhe reduktimit të burokracisë doganore.

Agropërpunimi është diçka që e kemi vendosur në prioritet e listës sonë të punëve dhe sa më shumë të tërheqim nga kanalet e eksporteve lëndën e parë dhe sa më shumë të fusim lëndë të përpunuar  në vend, aq më shumë do të mbajmë vlerë të shtuar brenda kufijve tanë. Faza kur baza kryesore e eksporteve ishte nxjerrja jashtë e lëndës së parë, është një fazë që duhet ta konsiderojmë për t’u tejkaluar. Kur vjen puna te bujqësia, është e qartë se hapi tjetër është agropërpunimi. Siç bëmë me grumbullimin, duke siguruar që Shqipëria të ketë një rrjett  të fuqishëm grumbullimi dhe me sdtandarde të karta, duam të kemi një rrjet të konsoliduar të agropërpunimit. Një nga çështjet që janë adresuar është çështja e barrierave dhe logjistikës. Çështja e procedurave eksportuese, lehtësimi i korridoreve logjistike për të ulur sa të jetë e mundur kohën dhe koston e transportit. Me zero burokracinë e Doganave, duke u mbështetur te digjitalizimi”, u shpreh kryeministri.