Prezantohet “Agjencia Dixhitale”, Hoxha: Qytetarët të raportojnë shkeljet e policëve, gardistëve e zjarrfikësve

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka prezantuar sot aplikacionin “Agjencia Dixhitale”, e cila do t’u vijë në ndihmë qytetarëve për të raportuar shkeljet apo abuzimet nga punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës apo Shërbimit Zjarrfikës.
Duke folur rreth krijimit të aplikacionit mobil nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila i monitoron tri institucionet më lart, ministri Hoxha nënvizoi se “përmes tij dhe përmes forcimit të platformave ekzistuese, dërgojmë një mesazh të qartë se në Shqipëri nuk ka vend për abuzim me uniformën, nuk ka vend për pandëshkueshmëri, nuk ka vend për heshtje përballë padrejtësive”.
“Ky nuk është thjesht një zhvillim teknologjik, por një angazhim serioz për të forcuar besimin mes qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë. Sepse besimi nuk fitohet me fjalë, por me veprime konkrete.
Krahas kanaleve ekzistuese të denoncimit, si numri jeshil 0800 90 90, tashmë prej vitesh në funksion, aplikacioni i ri përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administrimit të ankesave dhe forcimit të integritetit institucional,” tha ministri i Brendshëm në fjalën e tij.
Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Florian Sulejmani, Rreth aspekteve teknike dhe mundësive që ofron aplikacion.
“Në një kohë kur vendi ynë po përjeton një rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kjo platformë digjitale rrit sigurinë publike duke kontribuar në imazhin e Shqipërisë si një vend mikpritës që i jep prioritet dhe transparencë në standardet europiane të shërbimeve. Për ne, në qendër të veprimtarisë së përditshme qëndron qytetari. Angazhimi ynë i palëkundur është ndërtimi i një sistemi që garanton drejtësi, siguri dhe respekt të plotë për të drejtat e njeriut,” tha Sulejmani.
Ky aplikacion është i disponueshëm falas për të gjithë, si në sistemin iOS ashtu edhe në Android, dhe mund të shkarkohet e përdoret nga çdo qytetar, në çdo kohë dhe nga çdo vend, duke mundësuar raportim edhe në kushte anonimati të plotë.