Pretendimet për shitblerje të votës, Berisha denoncon: Janë eksponentë të thekur të PS

Partia Demokratike ka prova se procesi zgjedhor i 11 majit mund të jetë manipuluar në dobi të Partisë Socialiste, i shtyrë nga eksponentë të saj.
Këto pretendime i ngriti të martën kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia e demokratëve.
Për të faktuar akuzat e tij, ai publikoi videon e një “patronazhisteje” socialiste në zonën e Babrrusë, që pretendohet se u shpërndante para një familjeje në këmbim të votës së tyre.
“Natyrisht shpërndarja e fshehtë e parave është vështirë të kapet sepse ata që kryejnë këtë krim elektoral, bëjnë çdo gjë që të fshihen gjurmët e tij dhe të mos dalë. Megjithatë kamerat e qytetarëve syçelët kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave për vota. Dhe kjo jo të themi pas Dajtit apo në Mokër apo në Tropojë apo në zonat më të largëta. Jo, kjo në Tiranë, në Babrru,” tha z. Berisha.
Kryedemokrati përsëriti se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk do të njihen kurrë nga demokratët dhe se faktet e fundit “të pakundërshtueshme e delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet”.
“Personazhet në video janë të identifikuar plotësisht. Janë eksponentë të thekur të PS. Të bëjmë një marrëveshje: A mund të quhen zgjedhje, zgjedhjet në të cilat shteti, i quajtur shtet, përdor të gjithë financat e tij për të blerë vota? Përdor të gjithë fuqinë ekzekutive, me leje, me licenca, etj, për të blerë vota. A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat shteti licencon mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis nga 200 hektarë që parashikon ligji çdo vit? A mund të quhen zgjedhje? Se duhet të bëjmë një marrëveshje fjale. A mund të quhen zgjedhje kur shteti përdor në kundërshtim me ligjin 500 milionë euro prokurime? Kur shteti në kundërshtim me ligjin jep peshqesh 100 euro në kulmin e fushatës. Fal 200 milionë euro. Po marr vetëm këto, për të mos thënë pastaj ndikimin e tmerrshëm të karteleve,” u shpreh kryedemokrati.