Presidenti iranian: S’kërkojmë luftë me Izraelin, por do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë

Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi të hënën (16 qershor) se Republika Islamike nuk synon të zgjerojë luftën me Izraelin, por do të përgjigjet në mënyrë proporcionale ndaj çdo sulmi. Deklarata u bë gjatë një bisede telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Iranit.
“Ne nuk kemi nisur këtë luftë, por nuk do të rrimë duarkryq. Çdo veprim i armikut do të marrë një përgjigje të përshtatshme”, tha Pezeshkian, duke akuzuar Izraelin për sulme që kanë shkaktuar viktima mes civilëve, shkencëtarëve dhe udhëheqësve ushtarakë iranianë citon CNN.
Presidenti iranian shtoi gjithashtu se rifillimi i bisedimeve bërthamore me Shtetet e Bashkuara varet nga ndalimi i menjëhershëm i sulmeve izraelite në rajon. Ai theksoi se siguria rajonale nuk mund të arrihet në kushtet e një lufte të hapur dhe ndërhyrjeve të huaja.
Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shënuar një përshkallëzim ditët e fundit, me sulme të vazhdueshme mes Izraelit dhe Iranit.