Presidenti Begaj pret Trupin Diplomatik: Shqipëria e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, integrimit europian dhe stabilitetit rajonal
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj i ftoi ambasadorët ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre.
Presidenti i Republikës i cilësoi marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përkatësinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut si themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar.
Kreu i Shtetit bëri të ditur qëndrimin aktiv të Shqipërisë përballë zhvillimeve komplekse botërore, orientimin e palëkundur Euroatlantik dhe angazhimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, Presidenti i Republikës rikonfirmoi politikat e fqinjësisë së mirë, forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës, faktorit shqiptar në rajon dhe forcimin e lidhjeve me diasporën.
Duke iu referuar tranzicionit global, Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria e vlerëson atë me një përgjegjësi dhe vëmendje të shtuar.
“Përkatësia Euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë, – theksoi Presidenti Begaj, – nuk janë thjesht për llogari gjeopolitike, por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme”.
Dhe këto parime, sipas Kreut të Shtetit, nuk mbeten në nivel deklarativ, por përkthehen në zgjedhje të qarta strategjike dhe aleanca të qëndrueshme.
Duke iu referuar marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Presidenti Begaj u shpreh, ndër të tjera, se ky partneritet, më shumë se një aleancë politike e ushtarake, është një marrëdhënie e veçantë historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë.
Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës përmendi ftesën e Presidentit Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Presidenti i Republikës e cilësoi atë si vlerësim të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si një partner të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar.
Duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Begaj theksoi progresin që është bërë së fundmi me grup-kapitujt e negociatave dhe reformat transformuese, të cilat kanë shënuar kalimin, nga aspirata, në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë.
“Evropa, – theksoi Kreu i Shtetit, – mbetet një projekt paqeje dhe vlerash që ndërtohet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin për liritë individuale”.
Presidenti Begaj e cilësoi prioritet forcimin e Aleancës Veriatlantike në një epokë ku siguria nuk mund të merret më e mirëqenë, e për këtë theksoi kontributin aktiv të Shqipërisë duke investuar në mbrojtje moderne dhe siguri kibernetike.
Për sa u përket zhvillimeve në rajon, Presidenti Begaj e cilësoi Shqipërinë si një spirancë të orientimit Euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se Shqipëria mbetet promotore e dialogut dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e mbështet fuqishëm Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe angazhohet për fqinjësi të mirë, dialog dhe integrim evropian si horizont i përbashkët.
Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli edhe për diasporën, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e saj në hapjen e Shqipërisë për zhvillimin e turizmit, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve.
Duke iu referuar prioriteteve të këtij viti, Kreu i Shtetit theksoi se viti 2026 përfaqëson për Shqipërinë një moment të rëndësishëm konsolidimi institucional dhe afrimi me standardet evropiane.
“Synimi ynë është të thellojmë këtë hapje, të forcojmë besimin dhe të krijojmë kushte që lidhja mes Shqipërisë, diasporës dhe partnerëve tanë të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të mëtejshëm evropian”, – deklaroi Presidenti i Republikës në pritjen e përvitshme me përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Presidenti Begaj theksoi se diplomacia shqiptare është e ndërtuar mbi parime dhe vlera të qarta, të cilat nuk mbeten vetëm në nivel deklarativ, por përkthehen në zgjedhje strategjike dhe aleanca të forta.
“Ne kemi zgjedhur të jemi aty ku janë vlerat e paqes dhe të demokracisë. Parimet tona përkthehen në zgjedhje të qarta strategjike,” u shpreh ai.
Ai u ndal tek sfidat e rendit ndërkombëtar, duke theksuar se bota po përjeton një periudhë tranzicioni ku rendi i vjetër po zbehet, ndërsa i riu ende nuk ka marrë formë.
“Shqipëria, që ka provuar stuhitë më të egra të historisë, e sheh këtë tranzicion global me përgjegjësi dhe vëmendje të shtuar. Kjo ndjenjë përgjegjësie udhëheq mënyrën se si Shqipëria mendon dhe ushtron politikën e saj të jashtme,” tha Begaj.
Presidenti e cilësoi marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara si një partneritet të veçantë historik, të ndërtuar mbi mirënjohje, besim dhe vlera të përbashkëta. Ai kujtoi ftesën e Presidentit amerikan Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke e cilësuar atë si një zhvillim domethënës që pasqyron vlerësimin e SHBA-ve për Shqipërinë si partner të besueshëm.
“Partneriteti me SHBA është një marrëdhënie e veçantë historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë,” tha Begaj.
Po aq e rëndësishme, sipas tij, mbetet edhe aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilën e cilësoi si një zgjedhje strategjike dhe një kthim në familjen natyrore të Shqipërisë.
“Rruga jonë drejt BE-së është një proces transformues që synon të forcojë institucionet, të rrisë standardet dhe të konsolidojë stabilitetin. Hapja e kapitujve të negociatave konfirmoi njohjen e reformave tona dhe kalimin nga aspirata në një angazhim të strukturuar e të bazuar në meritë,” theksoi Presidenti.
Ai shtoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet prioritet i agjendës së vendit, jo vetëm si kërkesë e partnerëve, por si nevojë jetike për të ardhmen e Shqipërisë.
“Jemi të vetëdijshëm se pritshmëritë janë më të larta se kurrë dhe kjo është shenja e një shoqërie që nuk kënaqet më me simbolikë, por me demokraci funksionale,” tha Begaj.
Presidenti Begaj nënvizoi se për Shqipërinë NATO nuk është vetëm një mekanizëm mbrojtjeje, por një komunitet vlerash ku siguria kolektive ecën paralelisht me përgjegjësinë individuale të çdo vendi anëtar.
“Shqipëria nuk zgjodhi rolin e spektatorit, por të një aktori të përgjegjshëm. Konfirmuam se jemi një spirancë e qartë e orientimit euroatlantik në rajon,” u shpreh ai.
Ai theksoi se vendi do të vijojë të kontribuojë aktivisht në Aleancë, duke investuar në mbrojtjen kibernetike, inovacion dhe kapacitete moderne të mbrojtjes për t’u përshtatur me sfidat e shekullit XXI.
Në fund, Presidenti nënvizoi rolin e Shqipërisë si promotore e stabilitetit dhe dialogut konstruktiv në rajon, duke riafirmuar mbështetjen për Kosovën në procesin e saj të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
“Mesazhi ynë për fqinjësi dhe bashkëpunimin rajonal është i qartë: mbetemi promotorë të fqinjësisë dhe dialogut, duke besuar se janë procese të pandalshme dhe të ndërlidhura,” përfundoi Begaj.
1 / 6






