Prefektura e Shkodrës raporton situatën e krijuar nga reshjet e dendura
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër ka informuar mbi situatën aktuale në territorin e qarkut Shkodër të krijuar nga reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit.
Nga informacioni i DRUK Lezhë, rezulton se ka pasur rritje të prurjeve në përrenj dhe lumenj. Megjithatë deri tani nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e Rezervuarit Shtodër.
Aktualisht, nivelet e ujit në Bunë, Drin, Kir dhe Gjadër ndodhen nën kuotat e rrezikut për përmbytje.
Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas po funksionojnë normalisht dhe janë në gatishmëri të plotë në rast nevoje. Strukturat përgjegjëse janë në terren.
Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, reshjet janë me intensitet të lartë dhe kanë sjellë prani uji pranë banesave.
Në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prezencë uji, ku grupet e Emergjencave Civile kanë ndërhyrë menjëherë.
Në Malësinë e Madhe, reshjet kanë vijuar me intensitet mesatar gjatë natës dhe në orët në vijim.. Fshati Flakë mbetet i bllokuar për shkak të prurjeve të përroit.
Në zonat Rrazë dhe Veshtë është konstatuar prezencë uji, por pa rrezik për banesat. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në Kelmend dhe hapjen e kalueshmërisë së rrugës në Dragovojë.
Në Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë rurale. Nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa.
Në territorin e Bashkisë Shkodër reshjet kanë qenë me intensitet të lartë . Emergjencat Civile po zhvillojnë inspektime të vazhdueshme në terren.
Situata hidrike në kaskadën e Drinit
Prurjet natyrore aktuale arrijnë në 3500 m³/s, ndërsa nivelet e liqeneve janë si më poshtë:
Fierza: 281.2 m
Koman: 174.2 m
Vau i Dejës: 75 m
Shkarkimet nga HEC Vau Dejës jane 900 m³/ sek dhe HEC Koman 700 m³/ sek.
Prefekti i Qarkut Shkodër njofton se situata po ndiqet nga afër në koordinim me të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, me qëllim menaxhimin e emergjencave.
