Prag edicioni i tetë i festivalit “Ekrani i Artit” – Shkodra do të shndërrohet në qendër të artit vizual dhe kinemasë

Nga data 18 deri më 22 qershor, Shkodra do të mirëpresë edicionin e tetë të festivalit ndërkombëtar “Ekrani i Artit”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që ndërthur video artin, kinemanë e shkurtër dhe të gjatë, dokumentarë dhe fiction nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
111 projekte vizuale, mes tyre 40 premiera shqiptare, do të shfaqen në mjedise të ndryshme kulturore të qytetit, përfshirë: Kinema Republika, Art House, Gjuhadoli, Galeria e Arteve Shkodër, Salla Françeskane etj.
Festivali do të sjellë jo vetëm projeksione të veprave artistike, por edhe një seri bisedash dhe takimesh me autorë dhe profesionistë të fushës, duke e kthyer Shkodrën në një platformë bashkëbisedimi për artin vizual bashkëkohor.
“Kartolina nga larg” është tema e këtij viti.
“Ekrani i Artit” është tashmë një traditë që promovon qytetin e Shkodrës në disa dimensione: kulturore, artistike dhe turistike, duke sjellë bashkë komunitetin vendas dhe artistë nga e gjithë bota.
Hyrja në aktivitetet e festivalit do të jetë e hapur për të gjithë të apasionuarit pas artit vizual dhe filmit.