Pr.ligji “Për performancën energjetike të ndërtesave”, Balla: Vendi parë në rajon që po e realizojmë. Bardhi: Të shtyhet kur të vijë Balluku

Mungesa e Ministres së Energjetikës, Belinda Balluku gjatë diskutimeve për projektligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave”, ka shkaktuar debate në Kuvend. Opozita ka deklaruar se Kuvendi nuk do duhej të diskutonte, e aq më pak të votonte për një projektligj i cili, sipas tyre, nuk ka prezencën e ministrit që e ka kundërfirmosur në Këshillin e Ministrave.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka deklaruar se projektligji duhet të shtyhet dhe të sillet në Kuvend kur ministrja Balluku të jetë prezentë në sallë.
“Të vijë ministri kundërfirmosës, nëse s’është shtyje projektligjin. Rregullorja e Kuvendit e kërkon taksative prezencën e ministrit që ka kundërfirmosur projektligjin në Këshillin e Ministrave. Është neni 73, pika1.
Nëse zonja ka një punë më të rëndësishme se Kuvendi, puna e vetme në fakt është që ndodhet në Fier, falënderon grupet kriminale. Ka procedurë Kuvendi”, deklaroi Bardhi.
Në mungesë të ministres Balluku në seancën e sotme plenare, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka sqaruar se projektligji “Për performancën energjetike të ndërtesave” është reformë e thellë që prek dy sektorët kyç për ekonominë e vendit.
Ai deklaroi se Shqipëria është vendi i parë në rajon që po miraton këtë projektligj dhe do të jetë vendi i parë në grupin e vendeve anëtare në Bashkimin Evropian që po aplikon këtë vendim sa i përket performancës energjetike në ndërtesa.
“Kjo nismë është vijim i angazhimeve tona të marra para shqiptarëve e të votuara në zgjedhjet më të mira që ka pasur Shqipëria në 34 vite.
Ky pr.ligj është një reformë e thellë dhe që prek njëkohësisht qoftë sektorin energjetik, por edhe atë të ndërtimit, si dy sektorë kyç dhe shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit, por shtuar këtu edhe vëmendjen ndaj mjedisit.
Nuk kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me një rast tjetër të harmonizimit të legjislacionit tonë në sektorin energjetik me atë që quhet “acquis communautaire” të energjisë, por kemi të bëjmë me një transformim rrënjësor të mënyrës se si ne do ndërtojmë nga tani e më tej dhe se di do duhet të jetojmë duke kursyer sa më shumë energji.
Ky pr.ligj përafron dhe direktivën më të fundit të BE sa i përket performancës energjetike në ndërtesa. Jemi vendi i parë në rajon që po e bëjmë këtë gjë dhe po ashtu mund të hyjmë në grupin e parë të vendeve anëtare të BE që po aplikojmë këtë vendim sa i përket performancës energjetike në ndërtesa. Është sipërmarrje ambiciozë sepse vendos kushte të reja në lidhje me ndërtimin në Shqipëri”, tha Balla.