Pr.ligj për ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, Zhupa: Mësuesit duhet të paguhen pa diskriminim, mazhoranca të tërhiqet nga akrobacitë
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Ina Zhupa, deklaroi për mediat se mazhoranca po përpiqet të manipulojë një problem që e ka krijuar vetë, lidhur me pagesën shtesë prej 50 mijë lekësh për mësuesit e diplomuar para futjes së sistemit të Bolonjës.
Sipas Zhupës, projektligji i depozituar prej saj parashikon ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, duke njohur mësuesit që kanë përfunduar studimet para Bolonjës si të barasvlershëm me shkollë të lartë dhe master 60 apo 90 kredite, çka u mundëson atyre përfitimin e pagesës së kategorisë.
Ajo theksoi se kjo ka qenë një betejë e gjatë, që ka zgjatur një vit e gjysmë, gjatë së cilës mësuesit janë privuar padrejtësisht nga pagesa, pavarësisht se mazhoranca e ka mbrojtur vendimin e saj me fanatizëm.
“Pr.ligj parashikon ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë ku edhe mësuesit që kanë mbaruar para futjes së sistemit të Bolonjës të cilësohen si me shkollë të lartë dhe me master 60 apo 90 kredite për të marrë 50 mijë lekëshin e pagesës së kategorisë.
Sot mazhoranca ka vendosur të na hedhë hi syve, të gjithë problemin që e krijoi vetë, do ta zgjidhë vetë. Dhe dje ish-ministrja Kushi ka prezantuar një pr.ligj për ndryshimin e Ligjit të arsimit parauniversitar.
Dua tu them mësuesve që ne ja dolëm. Kjo është një betejë që 1 vit e gjysmë që ja vlejti, ata u tërhoqën, pavarësisht se e mbrojtën me fanatizëm që kishin të drejtë, erdhën në çdo komision, ka një 1 vit e gjysmë që s’ja u japin pagesën”, deklaroi Zhupa.
Kjo e fundit kritikoi faktin që mazhoranca nuk pranon të votojë një projektligj të opozitës, duke tentuar të miratojë një ligj paralel, i cili sipas saj është problematik dhe diskriminues, pasi parashikon kufizime në bazë të vitit të punësimit.
Ajo sqaroi gjithashtu se problemi nuk qëndron te ligji i arsimit parauniversitar, por te një VKM që binte në kundërshtim me ligjin ekzistues, për çka çështja u dërgua edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Ajo që sot duan të bëjnë ata është që nuk pranojnë dot të votojnë një pr.ligj të një deputeteje të opozitës sepse humbin kreditet si mazhorancë. Unë sot jam e gatshme t’ia dhuroj pr.ligjin tim Kushit, por të miratojnë atë pr.ligj dhe jo një sic duan të miratojmë. Ky i riu është problematik sepse duan të vendosin një datë të punësuarit para 2017-ës, ndërkohë duhet të jetë për këdo mësues pavarësisht se kur janë punësuar”, shtoi ajo.
Në përfundim, Zhupa i bëri thirrje mazhorancës të tërhiqet nga, siç e quajti ajo, “akrobacia ligjore”, dhe të miratojë projektligjin e saj, i cili është konsultuar me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Shqiptar dhe është në interes të drejtpërdrejtë të mësuesve.
