“Popullsia plaket, reformat marrin kohë”- BERZH kërkon marrjen e masave për pensionet: Kërcënon ekonominë

seiko berzh

Regjistrimi i popullsisë 2023 tregon se Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë, gati një e treta më pak se në vitin 1990, ndërsa mosha mesatare ka shkuar në afro 43 vjeç.

Në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH-it, Guvernatori Gent Sejko tha se emigracioni, dikur i konsideruar si zgjidhje, po kthehet në një sfidë strukturore për ekonominë dhe shoqërinë.

“Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar herët në kohë si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Transformimi i shpejtë demografik po riformëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, ndërsa këto të fundit tashmë përballen me sfida të ngjashme me ato të theksuara në Raportin e Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha ai.

Sipas ekspertit të BERZH-it, Alexander Plekhanov, reformat që prekin shtylla të rëndësishme si pensionet apo shërbimi shëndetësor duhen parë në një perspektivë 20–30-vjeçare.

Brezi i ri, teksa hyn gradualisht në sistem, do të duhet të përshtatet me realitete të reja, por edhe kjo është jashtëzakonisht e vështirë. Nëse kjo shihet si një kalim në një moment të caktuar, do të thotë t’i kërkosh brezit të ri të paguajë dy herë: një herë për gjyshërit dhe prindërit e tyre dhe një herë për veten e tyre, pasi të kalojnë në sistemin e ri”, tha Plekhanov.

Studimi thekson se reformat e nevojshme kërkojnë guxim dhe ndershmëri, duke përfshirë pensionet, tregun e punës, politikat e migracionit dhe investimet për plakje të shëndetshme, si edhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale.