Policia Rrugore Shkodër: 11 drejtues mjetesh të arrestuar dhe mbi 4100 gjoba gjatë qershorit

Rrugore Shkodër

Policia Rrugore e Shkodrës ka publikuar sot bilancin e masave dhe ndëshkimeve për muajin qershor, duke treguar një intensifikim të kontrolleve për respektimin e Kodit Rrugor. Gjatë këtij muaji, 11 drejtues mjetesh janë arrestuar dhe 22 të tjerë janë proceduar penalisht për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjithashtu, janë vënë gjithsej 4161 masa administrative për shkelje të ndryshme, duke konfirmuar fokusin e policisë në disiplinimin e qarkullimit rrugor.

Shkeljet më të shpeshta të evidentuara:

  • 1503 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar.
  • 946 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
  • 672 masa për parakalime të gabuara.
  • 376 masa për mosvënien e rripit të sigurimit.
  • 235 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve.
  • 228 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse.
  • 80 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
  • 68 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
  • 53 masa për xhama të errësuar.
Screenshot 2025 07 02 170929

Kontrollet dhe apeli i policisë

Policia Rrugore e Shkodrës bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Theksi vihet te moskryerja e parakalimeve të gabuara, mos përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, dhe mosdrejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Për të ndihmuar në rritjen e sigurisë rrugore, Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.