Plani kombëtar kundër propagandës së huaj, Komisioni “Braçe” miraton strategjinë 2025–2030
Komisioni i Posaçëm për Luftën kundër Dezinformimit ka miratuar strategjinë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja për periudhën 2025–2030.
Në cilësinë e kryetarit të komisionit, deputeti Erion Braçe theksoi se dokumenti është një hap vendimtar për të mbrojtur opinionin publik dhe proceset demokratike nga ndikimet e jashtme dhe manipulimi me lajme të rreme.
“Strategjia kombëtare është dokumenti i parë gjithëpërfshirës në Shqipëri, që adreson drejtpërdrejt fenomenet e manipulimit të informacionit në funksion të ndërhyrjeve të huaja keqdashëse. Ajo synon të përcaktojë një platformë të unifikuar veprimi, ku përfshihen objektivat, prioritetet dhe masat kryesore për mbrojtjen e shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve nga ndërhyrjet e huaj keqdashëse, përfshirë dezinformimin,” deklaroi z. Braçe.
Ai shtoi se puna për hartimin e strategjisë është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, mediet dhe ekspertë të pavarur, duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse dhe transparente.
“Paralelisht u organizuan 14 seanca dëgjimore me 16 institucione shtetërore dhe organizata të shoqërisë civile. Këto dëgjesa patën për qëllim të merrnin kontributet, shqetësimet dhe propozimet e aktorëve të ndryshëm, duke siguruar që strategjia të reflektojë një kuptim sa më të plotë të fenomenit dhe identifikimin e instrumenteve të duhura për zbatimin e saj,” tha kryetari i komisionit të posaçëm për luftën kundër dezinformimit.
Pas miratimit në komision, strategjia do t’i paraqitet Kuvendit për votim në seancë plenare.
