Plani Europian i Rritjes – Shqipëria ka gati raportin e dytë, ekspertja: Përfitojmë një tjetër fond nga BE
Shqipëria po procedon me raportin e dytë të ecurisë së Planit të Rritjes. Raportimi i reformave që nga qershori i bashkohet rezultatit absolut në rajon që ka pasur vendi me disbursimin më të lartë nga fondet e tij.
“Duke përgatitur edhe raportin e dytë të radhës i cili mbulon periudhën qershor 2025 – dhjetor 2025, nga i cili pritet të kemi një informacion më të plotë mbi trendin e përthithjes”, tha Krisela Haçkaj, eksperte e Integrimit Europian.
Në ecurinë e matur, sektorët me reforma më të arritura janë disa.
“Në fushën e digjitalizimit, por edhe në klimën e biznesit, ku certifikimi i Komisionit Europian në muajin korrik na tregoi që Shqipëria kishte performuar 100 për qind në ato që ishin detyrime për periudhën deri në qershor të 2025-ës në këto dy fusha. Por ka edhe fusha të tjera, siç janë ato të reformave në sundimin e ligjit apo në fushën e energjisë, të cilat kërkojnë më shumë kohë”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, instituti që merret me monitorimin e reformave në Shqipëri parashtron mundësi për përmirësimin e procesit të ngjeshur e tepër të ngurtë në shlyerjen financiare.
“Vazhdojmë të advokojmë për një vlerësim proporcional, pra në ato reforma që ne shohim që ka një arritje të kënaqshme, por jo të plotë, të njihet arritja, përkushtimi i institucioneve në arritjen e pjesshme, sigurisht me një kushtëzim për një arritje të plotë deri në fund të periudhës së zbatimit. Ky vlerësim i pjesshëm na mundëson të kemi një përthithje edhe më të lartë, por gjithashtu edhe për të mbajtur ambasadën publike të angazhuar në këtë proces”, nënvizoi ekspertja.
Shuma e përgjithshme e parashikuar për shlyerje përkundrejt reformave deri në fund të 2027-ës është 922 milionë euro.
