Pezullimi i vizave për emigrantët, Ambasada e SHBA sqaron: Vizat aktuale mbeten të vlefshme, pezullimi nuk prek udhëtimet turistike

Ambasada e SHBA sqar

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi pezullimin përkohësisht të përpunimimit të vizave të imigrantëve për 75 vende. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 21 janar të këtij viti, teksa Ambasada Amerikane sqaron se Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve.

Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike. Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme”, thuhet në deklaratë.

Sipas Ambasadës Amerikane, aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për ta gjatë kësaj periudhe pezullimi.

Ambasada Amerikane i ka dhënë përgjigje edhe disa pyetjeve në lidhje me këtë vendim, duke sqaruar se ky pezullim do të zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese dhe jo ato turistike.

Në lidhje me vizat aktuale të vlefshme, Ambasada thekson se asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi.

Përjashtim nga ky vendim bëjnë shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i përfshirë në listën e 75 vendeve.

Vendet për të cilat janë pezulluar përkohësisht vizat për emigrantët:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.