Përplasje e fortë Senat-Pentagon, Mark Kelly padit Sekretarin e Mbrojtjes pas kërcënimit për heqjen e gradës

download-23

Senatori demokrat i Arizonës, Mark Kelly, ka ndërmarrë një hap drastik ligjor këtë të hënë, duke paditur Pentagonin. Ish-piloti i Marinës dhe një nga figurat qendrore të demokratëve po kërkon të bllokojë masat ndëshkimore të iniciuara nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Thelbi i konfliktit lidhet me një video të publikuar nga Kelly, ku ai u bënte thirrje trupave ushtarake amerikane t’i rezistonin “urdhrave të paligjshëm”.

Në padinë e dorëzuar, Kelly argumenton se veprimi i Pentagonit shkel të drejtat themelore kushtetuese. “Amendamenti i Parë i ndalon qeverisë dhe zyrtarëve të saj të ndëshkojnë shprehjen e pafavorizuar ose të hakmerren kundër fjalës së mbrojtur,” thuhet në tekstin e padisë.

Ekipi ligjor i senatorit thekson se ky ndalim zbatohet me forcë të veçantë për ligjvënësit, të cilët kanë detyrim të flasin për çështje të politikave publike.

Sekretari Hegseth njoftoi të hënën e kaluar se kishte lëshuar një masë zyrtare kritike (censurë) ndaj Kelly-t, duke e cilësuar thirrjen e tij ndaj ushtrisë si të papranueshme. Edhe pse kjo masë është në vetvete një letër formale, Hegseth ka qartësuar se ky është vetëm fillimi.

Sipas kreut të Pentagonit, censura ishte “një hap i nevojshëm procesi” që i hap rrugën procedurave më të rënda: uljes së gradës së kapitenit në pension për Kelly-n dhe, rrjedhimisht, uljes së ndjeshme të pagës së tij të pensionit ushtarak. Padia e sotme synon të ndalojë pikërisht këtë proces ndëshkimor që prek statusin ushtarak të senatorit.