Përmirësimi i infrastrukturës / Nis shtrimi me asfalt i rrugëve dhe rrugicave tek “Mahalla e Re”
Në lagjen “Mahalla e Re”, vazhdon puna për rikonstruksionin e shtatë rrugëve të përfshira në projektin e fituar nga Bashkia Shkodër, përmes Ministrisë së Ekonomisë.
Të nisura disa muaj më pare, punimet po ecin me ritme të shpejta.
Prej gati dy javësh, në rrugicat e shumta që ka kjo zonë po punohet për shtrimin e asfaltit.
Me përfundimin e punimeve pritet të ketë një impakt pozitiv në cilësinë e jetës së banorëve.
Investimi që po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pritet të përfundojë brenda 6 muajve nga nisja e punimeve.
Ndërkohë, paralelisht është duke u punuar për nivelimin e rrugëve dhe rrugicave të tjera dhe më pas do të ndërhyhet me shtrimin me asfalt të tyre.
Në këtë zonë po punohet në disa drejtime ku, krahas ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore, po punohet edhe në vendosjen e kabullit të linjës 20 kw, një investim ky shumë i rëndësishëm jo vetëm për këtë zone, por edhe për një pjesë të qytetit ku kalon kjo linjë.
Ky investim, me vlerë rreth 77 mln lek me tvsh, përfshin rrjetin e kanalizimeve të ujrave të bardha dhe të zeza, asfaltimin e rrugës dhe ndriçimin e saj.
