Përmbytjet në Lezhë, kryebashkiaku Ndreu: Nën ujë 450 hektarë tokë, po monitorojmë situatën
Gjatë inspektimit të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në zonën e Zadrimës, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, së bashku me drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, dhe prefektin e qarkut Lezhë, Taulant Malshi, informuan mbi pasojat e motit të keq.
Sipas kryebashkiakut Ndreu, rreth 450 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur si pasojë e reshjeve, ndërsa deri tani nuk raportohet për banesa të përmbytura. Autoritetet vendore janë në koordinim të ngushtë dhe po monitorojnë situatën në terren, duke u përgatitur për ndërhyrje në rast se situata përkeqësohet.
“Ka pasur reshje gjatë gjithë natës dhe ajo që e bën edhe më serioze është se reshjet kanë qenë të pranishme edhe në zonat malore, të cilat kanë rritur nivelin e lumenjve dhe përrenjve që vijnë nga lart. Shkarkimet e hidrocentraleve kanë bërë punën e tyre, dhe jemi në një situatë të vështirë, por jo alarmante. Ka zona me toka të përmbytura, por fatmirësisht nuk ka pasur përmbytje banesash. Po monitorojmë nga afër dhe jemi të gatshëm të ndërhyjmë në çdo moment nëse jeta e banorëve rrezikohet”, deklaroi Ndreu.
Kryebashkiaku shtoi se, nëse reshjet vijojnë, mund të ketë përkeqësim të situatës, por siguroi se autoritetet dhe ekipet e bashkisë janë të angazhuara për të ofruar mbështetje dhe për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.
