Përkujtohet vrasja e Vasil Shantos / Vendosen kurora me lule në memorialin kushtuar heronjve të LANÇ

vasil shanto

Data 1 shkurt shënon 82-vjetorin e rënies heroike të Heroit të Popullit Vasil Shanto dhe dëshmorëve Reshit Rusi e Rifat Manjani, bashkëluftëtarë të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me këtë rast, pranë memorialit të ngritur në nderim të tyre në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe, u zhvillua një ceremoni përkujtimore, ku u vendosën kurora me lule.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, drejtues të shoqatave të veteranëve dhe të dëshmorëve, si dhe familjarë e të afërm të të rënëve.

Ata theksuan se kjo ditë shërben për të kujtuar dhe kuptuar më mirë rëndësinë e së kaluarës historike të kombit tonë dhe sakrificat e bëra në përpjekjet për liri.

Më 1 shkurt të vitit 1944, gjatë kthimit nga një mision në Malin e Zi, Vasil Shanto, Reshit Rusi dhe Rifat Manjani u rrethuan nga forcat armike dhe, pas disa orësh luftime të ashpra, ranë dëshmorë në brigjet e Liqenit të Shkodrës.